E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gardistët, Berisha: Jemi të hapur për hetim të plotë

Kryeministri Berisha lëshon pe ndaj 6 urdhër-ndalimeve për gardistët, ndërkohë që njofton anullimin e tubimit të së shtunës

TIRANË- Plot 24 orë pas deklaratës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e qeverisë se ajo ka gënjyer.

“Dua t’i them dy fjalë zyrtares në krye të Prokurorisë. E ftoj të vazhdojë hetimin, por se çfarë u thotë shqiptarëve, kur i gënjen publikisht se nuk ka padi për ata që organizuan vënien e zjarrit, ajo qoftë. Dje, dokumenti është bërë publik. Ky dokument duhet t’u jepet të gjitha mediave. Është një akt i hollësishëm padijeje, që përfshin të gjithë organizatorët. Zonja kryeprokurore, për të nderuar veten, u tha shqiptarëve se nuk ekziston një padi e tillë. Askush të mos e marrë si një atak ndaj institucionit, por si një transparencë e domosdoshme ndaj atyre, që me dy-treqind kriminelë të droguar, i lejuan vetes të lozin me zjarr, t’i vënë zjarrin këtij vendi”, - tha Berisha. Por, në të njëjtën kohë, Kreu i ekzekutivit duket se ka lëshuar “pe” nga qëndrimet e tij mohuese ndaj urdhër-ndalimeve për 6 drejtues të Gardës së Republikës. ”Kam pasur kënaqësinë t’ju faktoj të gjithë bashkëbiseduesve të mi vullnetin tim të plotë, për hetim të plotë e të gjithanshëm, t’i garantoj se asnjë anëtar i Gardës së Republikës, polic e zyrtar, nuk ka asnjë lloj mbrojtjeje ndaj hetimit jo politik”, - shtoi ai. Berisha u tërhoq gjithashtu edhe nga tubimi i ditës së shtunë, një qëndrim ky i paralajmëruar edhe dy ditë më parë, përmes një konference për shtyp. “Mitingu i së shtunës nuk do të bëhet se kjo është një kërkesë e ligjshme, logjike e miqve, partnerëve dhe e të gjithë atyre që ndjekin me një shqetësim gjendjen në Shqipëri. Ju siguroj se mitingu nuk ka pasur qëllime muskulore. Absolutisht. Ai ka pasur një qëllim tërësisht kundër dhunës, por ky qëndrim mund të keqkuptohet dhe meqenëse ngjet si muskuj, ne muskuj kemi ligjin”, - tha ai. Kryeministri përshëndeti qëndrimin e ndërkombëtarëve për asistencë në këtë hetim, ndërkohë që dje i është drejtuar Ministrit të Financave që të përcaktojë një fond shpërblimi për këdo që ka informacione rreth ngjarjes së dhunshme të 21 janarit. “Zoti Ministër i Financave do të përcaktosh një fond shpërblimi për çdo dëshmitar e dëshmi të vyer që do të paraqiten e do të jenë të shumtë, për puçin, organizimin, financimin, komandën dhe çdo gjë rreth saj. Informacionet po vijnë, por ato duhet të shpërblehen. I ftoj të gjithë ata që kanë informacione t’i dorëzojnë në komisionin hetimor parlamentar dhe në policinë kriminale, të cilët që të gjitha, pa përjashtim, do t’i dorëzojnë në Prokurorinë e Shtetit, çfarëdo të jetë e vyer për atë institucion. Natyrisht, kjo skemë është e domosdoshme mbasi konstatoj se edhe padinë kryesore, të bërë nga Policia e Shtetit, Prokurorja e Përgjithshme tha se nuk ekziston. Çdo dokument do të shpërblehet në varësi të rëndësisë së vet. Komisioni hetimor parlamentar të përcaktojë të gjitha tarifat dhe ne kundrejt dëshmive, do t’i shpërblejmë”, - tha ai.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›