Negociatat e Lajcak, Rama vë kusht arrestimin e gardistëve
I dërguari i posaçëm i Brukselit për krizën në Shqipëri, Miroslav Lajcak takon Presidentin, Kryeministrin dhe kreun e opozitës
Nëse mazhoranca dhe opozita do të qëndrojnë të palëkundura në pozicionet e tyre të tanishme, procesi i integrimit europian të Shqipërisë, duket të jetë i kompromentuar. Sapo klasa politike të japë një shenjë për të kundërtën, krerët më të lartë të Bashkimit Europian janë të gatshëm të mbërrijnë në Tiranë për të ndërmjetësuar një kompromis. Miroslav Lajcak, i dërguari i kryediplomates europiane, Catherine Ashton, në Tiranë ka qenë mjaft i prerë, dhe i qartë njëkohësisht, në mesazhin e Brukselit. Që në orët e para të ditës, ai ka zhvilluar një takim me Kryeministrin Sali Berisha dhe më pas me Presidentin Bamir Topi dhe kreun e opozitës Edi Rama. Burimet diplomatike sqaruan për “Mapo” se Lajcak i ka kërkuar kreut të opozitës që të anulojë manifestimin e lajmëruar për ditën e premte. Gjatë këtij takimi, Rama ka insistuar te vendimi i socialistëve dhe opozitës, për të mbajtur tubimin e homazhit për tre protestuesit e vrarë më 21 janar. Ai ka dhënë garancitë e tij se bëhet fjalë për një tubim dhe një marshim paqësor, në nderim të viktimave. Sakaq, Lajcak ka propozuar që në vend të këtij manifestimi të gjendej një formë alternative e nderimit të viktimave, ndoshta një aktivitet pranë selisë së Partisë Socialiste, për të shmangur grumbullimet te Kryeministria dhe në Bulevard. Diçka e tillë ka hasur gjithsesi në qëndresën e kreut të opozitës, për të vijuar me atë çka është programuar dhe paralajmëruar prej tij. Mësohet se Lajcak ka këmbëngulur tek ideja e rikthimit të tryezës së dialogut konstruktiv, midis pozitës dhe opozitës, me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike. Rama nga ana e tij ka insistuar se nuk mund të ketë dialog me mazhorancën, pa u ekzekutuar urdhrat e firmosura nga prokuroria, për ndalimin e gjashtë efektivëve të Gardës së Republikës, përgjegjës për vrasjen e tre protestuesve. Zyrtari evropian nga ana e tij ka deklaruar se ka marrë garanci prej Kryeministrit se ai do të ndikojë në dorëzimin e gardistëve në dispozicion të Prokurorisë për hetime. Mesazhet e Brukselit, Lajcak ja ka bërë të ditura edhe Kryeministrit Sali Berisha, gjatë takimit që kishte më herët në zyrën e këtij të fundit. Në përfundim të këtyre bisedimeve, ai deklaroi para medias se mesazhi është i qartë: ne jemi me ju, ne duam që Shqipëria të ketë një perspektivë të qartë europiane. “Së pari, duhet që të shikojmë një fund të dhunës e një ulje të përshkallëzimeve dhe tensioneve. Nuk është mënyra europiane e të zgjidhurit të çështjeve politike, ajo që pamë ditën e premte, në mënyrë të dhunshme”, u shpreh Lajcak. Ai nënvizoi rëndësinë e nevojës së vendosjes së qetësisë dhe respektit të plotë për shtetin ligjor. “I kujtova përfaqësuesve tuaj politikë, përgjegjësinë që ata ndajnë për: parandalimin e ndonjë dhune apo gjakderdhje të mëtejshme; respektimin e institucioneve dhe funksionimin e tyre, sepse askush nuk është mbi to; nxjerrjen e përgjegjësive për ata që shkaktuan vdekjen; evitimin e çdo veprimi që do të shtyjnë më tej këtë boshllëk që ekziston dhe që mund ta ndajë shoqërinë, duke shtuar nivelin e konfrontimit dhe së fundi kthimin e Shqipërisë në udhën e saj europiane”, këmbënguli Lajcak. Në vlerësimin e tij, këto mund të arrihen vetëm nëse qeveria dhe opozita do të luajnë rolin e tyre respektiv. “Unë e bëra të qartë se e ardhja evropiane, për Shqipërinë, varet shumë nga ajo që do t’u kërkojmë ne të bëjnë dhe që do të vendosin të bëjnë udhëheqësit politikë shqiptarë. Jemi gati t’u ndihmojmë. Ne jemi të gatshëm të kthehemi në Shqipëri në çdo lloj momenti. Baronesha Ashton është e gatshme të vijë në Shqipëri, komisioneri Fule gjithashtu, ashtu sikurse edhe unë, jam gati të kthehem. U takon politikanëve tuaj të bëjnë lëvizjen e parë të duhur dhe në drejtimin e duhur. Ata e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë”, nënvizoi Lajcak. D.Malaj