E Diel, 1 Nëntor 2026

Megi Jakiçi, e vrarë pa faj në prag martese

Share

Megi Jakici

Edhe pak kohë i mbetej që dashuria e saj të shpallej në altarin e shenjtë të martesës. Megi Jokiçi vajza e vrarë të enjten në mbrëmje në Tiranë, po përgatitej për ngjarjen më të rëndësishme të jetës: martesën. Ajo bashkëjetonte me të fejuarin e saj, me të cilin do të martohej pas pak muajsh. Ishte ndarë dhe data e martesës. Të enjten Megi kishte dalë për të pirë një kafe me të fejuarin e saj në zonën tregtare pranë rrugës Komuna e Parisit. Duhej të ishte një mbrëmje e zakonshme. Secili prej nesh mund të ishte në atë orë duke kaluar në rrugë  në punë të vet, ose duke u kthyer nga një kafe. Megi nuk u kthye më e gjallë në shtëpi. I ati, Miloshi dhe e ëma Hermolina, prisnin ta përcillnin të veshur me të bardha, por jetojmë në Shqipëri. Prindërve zemër-copëtuar dje u është dashur ti japin vajzës 25 vjeçare lamtumirën e fundit.

Megi kishte përfunduar studimet me nota të shkëlqyera dhe ushtronte profesionin e stomatologes në një klinikë dentare. Shuarja e jetës në moshën më të bukur dhe absurditeti i rrethanave të ngjarjes ka ngjallur irritim jo vetëm te të afërmit e saj, por edhe te çdo banor i zonës ku jeton familja Jokiçi. Në rrugën Don Bosko, aty ku jeton familja e 25 vjeçares, për Megin të flasin veç mire. Njihej si një vajzë e qeshur dhe plot jetë. Të afërmit e kanë të pamundur të flasin në këto momente të dhimbjes. Një prej pjesëtarëve në mort na thotë diçka që të bën të mendosh sa të pasigurtë jemi të gjithë në këtë vend: viktima ishte e afërt e bashkëshortes së vetë zv.ministrit të Brendshem, Ferdinand Pone.

Një i afërt tjetër në mort na tregon për gjendjen e rëndë shpirtërore të të fejuarit, me të cilin ishte në makinë, kur plumbi qorr e ka marrë në nofull dhe në kokë. Ai i ka thënë vajzës Megi, ule kokën, kur kanë nisur krismat. Ka dëgjuar më pas vetëm një oh dhe kur është kthyer nga Megi, e ka parë me kokën e përkulur përpara, të goditur nga plumbi. Kur ka tentuar ta prekë, ka prekur gjak dhe nofullën e copëtuar të vajzës që do ishte bashkëshortja e tij për gjithë jetën./Shekulli

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›