Gardisti: Shmangëm luftën në Cërrik
Armand Bajrami
Gjykata për Krimet e Rënda u njoh dje me dëshminë e një prej gardistëve pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë të marsit 1997 në Cërrik, e cilësuar më pas si “masakra e Cërrikut”. Shpend Haklaj, një nga efektivët e Gardës, që më 22 maj 1997 ra në pritë të armatosur në qendër të Cërrikut, ku u vranë 6 kolegë të tij dhe u plagosën 15 të tjerë, tregoi para gjykatës momentet e tmerrit të përjetuar në Cërrik. Dëshmitari Haklaj tha se në Cërrik ishin qëlluar me artileri të kalibrave të rëndë, ndërkohë që “misioni” i tyre ishte “të mbështesnin Forcat Speciale në mbledhjen e armëve të rëna në duart e popullatës”. Para togave të zeza, Shpend Haklaj siguroi se nga efektivët e gardës dhe efektivët e forcave speciale, nuk është qëlluar drejt agresorëve. “Mjetet e Gardës dhe të forcave speciale nuk ishin të armatosur për t’iu përgjigjur sulmit me antitank dhe armatim të kalibrit të rëndë”, tha dëshmitari.
DESHMIA
Përreth dy orë, Shpend Haklaj, i cili vazhdonte të ishte pjesë e Gardës së Republikës, iu përgjigj pyetjeve të palëve pjesëmarrëse në procesin në ngarkim të akuzuarve si autorë të “masakrës”. “Në mars të vitit 1997 ishim në gjendje gatishmërie në Durrës. Na thanë që do të niseshim me shërbim. Fillimisht nuk e dinim se për ku e kishim drejtimin. Në vijim eprori na tha që do të shkonim në mbështetje të Forcave Speciale në Elbasan. Ishim gjithsej 6 tankistë dhe kishim 4 mjete të blinduara. Shkuam në Elbasan. Fjetëm një natë në turizmin e këtij qyteti. Në mëngjes shkuam te komisariati i policisë së Elbasanit. Te komisariati na u bashkangjitën dhe efektivë të Forcave Speciale”, tha dëshmitari. Sipas tij, para se të mbërrinin në Cërrik kishin mbledhur disa municione në lagjen “Fermë”. “Për të shkuar në Cërrik kaluam nga lagjja “Fermë”. Aty kontrolluam disa shtëpi dhe gjetëm ca arka me armatime. Gjithsej ishim me katër tanke dhe dy transportierë. Kur u futëm në qendrën e Cërrikut blinda ime ishte e parafundit në autokolonë. Pati rreth 20-30 minuta breshëri armësh zjarri. Jemi qëlluar me kundtank nga Pallati i Kulturës. Zjarri ishte aq i fortë sa disa plumba kishin mbetur të ngulur në pjesën e parme të blindës që drejtoja unë. Kur filloi zjarri, unë mbylla kapakun e sipërm të blindës dhe po prisja të shikoja lëvizjet që do të bënte autoblinda përpara meje. Në momentin që blinda tjetër u tërhoq, lëviza edhe unë”, tha dëshmitari. Haklaj tregoi se gjatë largimit nga Cërriku, në blindën e drejtuar prej tij ishin edhe tre efektivë të forcave speciale. Hollësira të mëtejshme dëshmitari i kishte mësuar nga kolegët e tij. “Pas ngjarjes Hysen Doçi më tregoi se kishte dërguar në spital një nga gardistët e plagosur. Spitalin ia kishte treguar një banor i zonës, të cilin e kishte detyruar të hipte në blindë. Kur ishte kthyer te sheshi, Doçi më tha se kishte parë një blind të djegur dhe poshtë tij dy persona të vrarë. Ishin Sali Martinaj dhe Besnik Sukaj. Ndërsa brenda këtij blindi kishte parë edhe dy persona të tjerë të vdekur. Sipas Doçit ishin 7 të vdekur. Teksa po dilnim nga Cërriku, na dhanë urdhër të ktheheshim të tërhiqnim të plagosurit. Nuk u kthyem pasi mjetet tona nuk ishin të përgatitura për luftë. Unë kam pasur vetëm një pistoletë. Ndërsa efektivët e Forcave Speciale kanë pasur edhe nga një automatik. Gardisti, Pjetër Kol Prenci më tha që gjatë tërheqjes kanë marrë A. K, dhe F. M, të cilët ishin të plagosur. I kishin gjetur të plagosur pranë një pallati”, tha dëshmitari.
Avokatët, sherr në gjykatë për pagesat
TIRANE – Hapja e seancës së djeshme u shoqërua me debate të forta mes avokatëve mbrojtës të të pandehurve në këtë proces me gjykatën. Shkak për këtë ishte prania e emrave të disa prej avokatëve, në një listë për të cilën Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, i kërkonte Dhomës Kombëtare të Avokatisë të merrte masa disiplinore. Avokati Sajmir Visha pohoi dje se “një avokat nuk mund të zëvendësohet dhe të cilësohet si shkaktar për zvarritjen e një procesi, vetëm përse ka munguar për shkaqe të përligjura”. Visha i konsideroi këto presione nga Ministria e Drejtësisë. Avokatja Jalldyz Kastrati mohoi të kishte braktisur seanca gjyqësore. “Në shkresën e dërguar Dhomës së Avokatisë jam renditur si avokate që braktis seanca gjyqësore. Nuk është e vërtetë, pasi kam qenë korrekte”, tha Kastrati. Ndonëse seanca e djeshme nuk ishte bojkotuar nga avokatët kryesisht, për shkak të rëndësisë të këtij gjykimi, sërish problematika “doli në skenë”. “Nuk do të vij më në asnjë seancë gjyqësore, nëse nuk do të më paguani”, u shpreh dje avokatja Valentina Teodoresku. Kryesuesi i seancës u shpreh se seancat janë shtyrë për mungesa të dëshmitarëve dhe se për rrjedhojë ka dështuar pyetja e dëshmitarëve. Gjithashtu nga një nga mbrojtësit e procesit u shpreh se avokatëve po u bëhej presion nga struktura të Shërbimit Informativ. ar.ba