E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e “Takut”, pyeten dy dëshmitare



TIRANE – Dy dëshmitare janë marrë në pyetje nga grupi hetimor i policisë dhe prokurorisë, në lidhje me vrasjen e 35-vjeçarit Spartak Camaj, i cili u ekzekutua me armë zjarri një javë më parë në Tiranë. Njëra prej këtyre dëshmitareve, sipas policisë, dyshohet se ka qenë bashkë me 35-vjeçarin në makinën e tij tip “Fiat Punto”, në momentin kur Spartak Camaj është qëlluar me armë zjarri pranë rrugës “Vasil Shanto”. Ndërkohë dëshmitarja tjetër, sipas të dhënave nga hetimi i çështjes, rezulton e njohur e viktimës dhe person që ka pasur kontakte të shpeshta me 35-vjeçarin. Zbardhja e emrave të dy dëshmitareve është bërë pas verifikimit të tabulateve të thirrjeve telefonike, ku është bërë edhe një listim i personave me të cilët Spartak Camaj kishte kontaktuar natën e vrasjes. Sipas policisë, njëra nga dëshmitaret kishte kontaktuar me viktimën rreth një orë para vrasjes dhe besohet se ka qenë bashkë me Spartak Camajn, i njohur si “Taku i Yberishtit”, në makinë kur ai u qëllua me armë zjarri. Dëshmitarja, sipas burimeve hetimore, mësohet të ketë thënë se nuk ka arritur të shohë personin që ka qëlluar mbi 35-vjeçarin. Prokuroria dhe policia e Tiranës janë duke hetuar në tri pista për vrasjen e Spartak Camajt. Një prej këtyre pistave lidhet me konflikte për pronat e viktimës në Yzberisht, ku kohët e fundit po ndërtoheshin disa pallate të cilat ishin kundërshtuar nga 35-vjeçari. Ai kishte kërkuar përqindje për këto objekte nga investitorët, duke kërcënuar se përndryshe nuk do të lejonte ngritjen e pallateve. Pista e dytë lidhet me një hakmarrje për krimet ku ishte implikuar “Taku” i Yzberishtit, disa plagosje me armë të ndodhura në Tiranë në vitet 1991 dhe 1996. Pista e tretë lidhet me një konflikt të ndodhur pak ditë para vrasjes, siç dyshon policia, për njërën nga dëshmitaret që janë marrë në pyetje së fundi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›