Shqipëria pritet të mos e përfitojë heqjen e vizave në mesin e vitit
Premtimi i qeverisë shqiptare se qytetarët do të mund të udhëtojnë pa viza që prej verës mund të mos mbahet. Komisioni Europian ende nuk ka paraqitur raportin mbi përmbushjen apo jo të kritereve për liberalizimin e vizave nga Shqipëria dhe Bosnja. Qytetarët e të dyja vendeve duhet të udhëtojnë sërish me viza teksa tanimë këtë privilegj e kanë fituar qytetarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe Serbisë. Referuar burimeve nga BE-ja, Komisioni do të paraqitet gjatë këtij muaji dhe rekomandimi nuk mund të bëhet përpara qershorit. Sipas Traktatit të Lisbonës, duhet të bëhet edhe aprovimi nga Parlamenti Europian për të përfituar këto vende një regjim pa viza. Edhe nëse Parlamenti ka një vullnet të tillë pozitiv, do t’i duhen dy muaj së paku që të plotësohen procedurat e duhura. Në fund të këtyre procedurave u takon vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të marrin vendimin final. Diplomatët e BE-së presin që Komisioni Europian ta bëjë raportin në muajin prill dhe të thotë se Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë progres në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave. Por ata ka shumë mundësi që të thonë se dy vendet ende nuk i kanë përmbushur plotësisht të gjitha kriteret. Referuar një burimi, Bosnja është më mirë sesa Shqipëria në këtë aspekt. Diplomatët perëndimorë janë surprizuar nga kërkesa e kryeministrit Sali Berisha për të ndarë Bosnjën nga Shqipëria në raport me vlerësimin. “Ne e respektojmë këtë kërkesë sepse është në përputhje me vizionin tonë. Ne besojmë se ky proces bazohet mbi arritjet individuale të secilit shtet”, - tha një diplomat i BE-së. “Por, nëse do të thoshim se një vend mund të përfitojë viza para
tjetrit, shanset janë që të jetë Bosnja dhe jo Shqipëria”, - vijoi ai.
Për shkak të krizës politike, Shqipëria mund t’i tronditë paksa pozitat e saj në raport me procesin integrues. “Ne nuk duam që shqiptarët të bëhen viktima të politikës së tyre, por duam një regjim pa viza sa më shpejt të jetë e mundur. Por, nëse kriteret nuk janë plotësuar, kemi frikë se disa shtete të BE-së nuk do të pranojnë të merret një vendim i tillë”, - paralajmëroi një zyrtar.
7 Prill 2010