E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti merr mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave



Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka marrë dje mbështetjen e Presidentit të Gjermanisë, Horst Këler, për liberalizimin e vizave për shqiptarët, si dhe për ecurinë e mëtejshme të proceseve integruese të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Mbështetja e Gjermanisë është e rëndësishme për Shqipërinë për vetë faktin se Gjermani është ndër ato vende të BE-së që është treguar skeptike për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Ndërkaq, vizita e presidentit Topi është vlerësuar më rëndësi të veçantë për shkak se ndodh 12 vjet pas vizitë së fundit në një presidenti shqiptar në Gjermani.
Takimi
Presidenti i Republikës, së bashku me Zonjën e Parë Teuta Topi dhe delegacionin që e shoqëron, i përbërë nga zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, deputeti i Kuvendit, Gazmend Oketa, zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikollë Lesi, u pritën dje paradite nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Horst Këler dhe Zonja e Parë, në mjediset e Ndërtesës Presidenciale, në kështjellën “Shlos Belvju”. Pas kalimit në revistë të trupave ushtarake dhe ekzekutimit të himneve kombëtare, presidenti Topi dhe presidenti Këler zhvilluan një takim të përzemërt e miqësor, gjatë të cilit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve tona si dhe bashkëpunimi shumëpalësh në të gjitha fushat. Gjatë takimit, presidenti Topi theksoi faktin se Shqipëria e konsideron Gjermaninë si një partner strategjik shumë të rëndësishëm të saj. Kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të dhënë nga Gjermania për proceset demokratizuese dhe integruese të vendit tonë, duke u dhënë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjes së pranisë së investitorëve gjermanë në vendin tonë, ku në këtë aspekt pritet që gjatë kësaj vizite, të firmoset Marrëveshja për Eliminimin e Tatimeve të Dyfishta. Presidenti Topi bëri një pasqyrë të shkurtër mbi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe të zhvillimeve të brendshme, ku nënvizoi veçanërisht rëndësinë e riinstalimit të dialogut politik në vend mes maxhorancës dhe opozitës dhe e bashkëpunimit për reformat e rëndësishme, për të ruajtur vazhdimësinë e rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe përmbushjen e aspiratave integruese të mbarë popullit shqiptar.
Nga ana e tij, presidenti gjerman Këler, duke shprehur kënaqësinë e këtij takimi të veçantë, shprehu besimin në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit reciprok dhe vuri në dukje se shkëmbimi i vizitave i niveleve më të larta kontribuon në rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik. Kreu i shtetit gjerman vuri në dukje mbështetjen që vendi i tij ka dhënë për Shqipërinë duke e siguruar presidentin Topi se kjo do të vazhdojë në mënyrë që populli shqiptar të bëhet pjesë edhe zyrtarisht sa më shpejt e familjes së madhe europiane.
Vlerësimet
Diplomatë dhe analistë të ndryshëm e kanë cilësuar domethënëse vizitën e Topit në Gjermani. “Vizita e Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, është shumë domethënëse, sepse tregon që niveli i marrëdhënieve politike, por edhe në fusha të tjera është kaq i konsiderueshëm, sa justifikon vizitat në këtë nivel”, - është shprehur për Dojçe Velen, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Berlin, Valter Ibrahimi. Gati 12 vjet që nga vizita e fundit e një presidenti shqiptar, tema e bisedës nuk janë më krizat dhe luftërat e rajonit, por bashkëpunimi ekonomik dhe politik ndërmjet dy vendeve. “Gjatë bisedimeve flitet për çështjet e integrimit evropian, për bashkëpunimin dypalësh, liberalizimin e vizave dhe bashkëpunimin ekonomik e atë në organizatat ndërkombëtare”, - është shprehur Ibrahimi.

7 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›