Vdes nën rrotat e makinës së të atit
Mezi lindi, tanimë shtrihet në arkivol, pasi gjeti vdekjen nga automjeti i të atit. Çifti Mile nuk mund të lindë më fëmijë
LUSHNJË - Ishte drita e syve të tyre, i ardhur në jetë pas 10 vitesh martesë, por krejt papritur u shua aksidentalisht nga “dora” e të atit. Tragjedia në familjen Mile në rrethin e Lushnjës nuk ka fund, dhembja dhe zija kanë pllakosur familjen dhe farefisin. Kryefamiljari dhe pronari i firmës së bojërave “Stil Italia” aksidentoi dje për vdekje djalin e tij të vetëm. Mësohet se Flavio Mile, 2 vjeç, ishte duke luajtur, ashtu sikurse çdo ditë me automjetin pirun, pronë e të atit, pa e kuptuar dot se ajo do të ishte loja e tij e fundit. Sipas policisë, Fatmir Mile, 35 vjeç, ndezi mjetin e tij pirun rreth orës 12:20, me qëllim që të transportonte disa kuti bojërash, por fatkeqësisht nuk e vërejti të birin që ishte duke luajtur në pjesën e prapme të mjetit. Sapo ndezi mjetin e punës, prindi 35-vjeçar dëgjoi britmat e djalit të mitur, dhe menjëherë doli nga makina me tmerrin e zi në mendje. Ishte më shumë se e tmerrshme skena që iu shpalos para syve: nën rrotat e pirunit shtrihej thuajse pa jetë i biri. Edhe pse Flavio u dërgua me urgjencë në spitalin e Lushnjës, pranë repartit të reanimacionit për ndihmë mjekësore, ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda që mori pikërisht nga një e shkelur e gazit të makinës. Sipas mjekëve të spitalit të qytetit, i mituri kishte pësuar thyerje dhe shembje kockash në të gjitha pjesët e trupi, pasi gjithë pesha e mjetit kishte rënë mbi të në momentin e aksidentit tragjik. Uniformat blu të Komisariatit të Lushnjës vunë në pranga të atin e 2-vjeçarit, i cili ishte krejtësisht i shokuar dhe në gjendje depresive për çka i ndodhi. Mësohet se tragjedia dhe drama për familjen Mile është akoma më e madhe, për faktin se jo vetëm që humbën djalin e tyre të vetëm, por bashkëshortja e tij nuk mund të lindë më fëmijë. Flavio erdhi në jetë pas 10 vitesh martesë të çiftit Mile, ndërsa pa dashje pikërisht ai që aq shumë e dëshironte lindjen dhe mirërritjen e tij, i hoqi të shansin për të jetuar. Kjo është një ngjarje e rrallë për të gjithë opinionin lushnjar, të cilët janë gjithashtu të shokuar për çka i ndodhi familjes Mile, dhembja e së cilës tanimë nuk ka të sosur.