Garuli: Mungon plani rregullues, Tirana, pa gjelbërim
Mungesa e një plani rregullues ka shkaktuar edhe një mungesë gjelbërimi në kryeqytet. Zëvendësministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Aleksandër Garuli, dje në “Ditën pa makina” i ka kërkuar pushtetit vendor të Tiranës miratimin e planit rregullues të kryeqytetit, pasi, sipas tij, dhe ata që kanë vullnet që të lëvizin me mjete mjedisore, nuk e kanë mundësinë praktike, vazhdojnë të mungojnë rrugët dytësore për këmbësorët dhe për biçikletat.
Situata
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ditën e djeshme iu bashkua nismës së vendeve të Bashkimit Evropian në nismën “Në qytet pa makinën time”. Zëvendësministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, z. Aleksandër Garuli, i ftuar në një aktivitet me punonjës të mjedisit, nxënës të shkollave dhe shoqata mjedisore, bëri thirrje për një sensibilizim të të gjithë qytetarëve për çështjet mjedisore.
“Në Tiranë pushteti vendor të kujtohet për mbrojtjen e mjedisit, të kujtohet që përveç shfrytëzimit dhe resurseve që krijon, ky kryeqytet ka dhe një natyrë që duhet mbrojtur. Mungesa e një plani rregullues ka krijuar dhe një mungesë gjelbërimi në natyrë, pasi dhe ata që kanë vullnet që të lëvizin me mjete mjedisore, nuk e kanë mundësinë praktike në qytetet tona, ku mungojnë rrugët dytësore për këmbësorët dhe biçikletat”, - theksoi në fjalën e tij z. Garuli.
Ambientalisti Sazan Guri tha: “Tani i ka ardhur koha e veprimit dhe jo më e sensibilizimit. Duhet të veprojmë bashkërisht për të hartuar politika për të arritur standardet e vendeve evropiane drejt të cilave aspirojmë të shkojmë”.
Transporti
Zëvendësministri Garuli theksoi se si masa të rëndësishme për sektorin e transportit është nxitja dhe mbështetja për të ndryshuar raportin e makinave me benzinë me makinat që përdorin naftë, si dhe për të shtuar makinat e reja,
përmirësimi i transportit publik të qëndrueshëm dhe i infrastrukturës rrugore, disiplinimi i trafikut, shtimi i vendparkimeve etj.
Sektori i transportit kontribuon me rreth 25% të shkarkimeve të gazeve në Shqipëri, megjithëse duhet theksuar se qytetet në Shqipëri kanë një trafik brenda normativave, sidomos krahasuar me qytete si Milanoja, Athina, Meksikoja etj. Megjithatë, nuk duhet të anashkalohet ndotja që sjell sektori i transportit i cili së bashku me sektorin e energjitikës dhe të ndërtimit janë ndotësit kryesorë në Shqipëri.