Vonesa në zbardhjen e vendimeve, Dobjani, kritika për Gjykatën e Lartë
Mosekzekutimi i vendimeve penale për shkak të zvarritjes për një kohë të gjatë të zbardhjes së vendimeve të Gjykatës së Lartë ka detyruar Avokatin e Popullit të kritikojë këtë shkallë të gjyqësorit dhe të lëshojë rekomandimet përkatëse drejtuar kryetares së gjykatës, Shpresa Beçaj, për dijeni edhe të Kryeprokurores Ina Rama. Avokati i Popullit kërkon ekzekutimin e vendimeve penale ndaj personave që duhet të lirohen nga burgu, menjëherë pas shpalljes së vendimeve nga kolegjet e Gjykatës së Lartë. Prokurorët që paraqitin çështje të kësaj natyre në Gjykatën e Lartë të lozin rol aktiv, që të parandalohet mbajtja pa të drejtë në burg e personave që duhet të lirohen menjëherë nga burgu, pas vendimeve të Gjykatës së Lartë. Dy rekomandimet kanë ardhur pas inspektimit nga ana e komisionerëve të rastit të publikuar në media, ku një shtetas mbahej padrejtësisht në burg, ndonëse kishte pesë muaj që Kolegji Penal kishte shpallur vendimin dhe prokurorët nuk po e ekzekutonin. Shkak, sipas rezultatit të inspektimit, ishte vonesa në zbardhjen e vendimit nga gjyqtarët e kolegjit, pasi pakica e mendimit ndryshe nuk kishte zbardhur mendimet e tyre në vendim, çka vononte ekzekutimin e vendimit. Në rastin e Petrit Deliut, sipas Avokatit të Popullit, arsyetimi dhe zbardhja e vendimit të gjykatës nuk është realizuar brenda afatit maksimal prej 30 ditësh, bile edhe pse kishte kaluar 5 muaj nga shpallja e vendimit, nuk ishte zbardhur mendimi i pakicës për atë vendim. “Rasti që analizojmë për ish-të dënuarin Petrit Deliu është më flagranti, kjo për faktin se nga data e shpalljes së vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe deri në lirimin e tij kanë kaluar 5 muaj, çka do të thotë se duke qëndruar në burg për një kohë të gjatë, atij i është privuar padrejtësisht liria, duke iu cenuar një e drejtë kushtetuese që parashikohet në nenin 27 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”, - shprehet institucioni i Avokatit të Popullit në rekomandimet e tij. Sipas Avokatit të Popullit, nga ana e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë në zbatim të ligjit jo vetëm që duhet të unifikohet qëndrimi për këto raste, por edhe të merren masat për organizimin sa më efikas të punës, për arsyetimin dhe zbardhjen sa më shpejt të vendimeve penale, me qëllim që të mos privohet liria e shtetasve për zvarritje burokratike. Kurse prokurori që merr pjesë në gjykim, ka detyrimin që për çdo rast të kësaj natyre të insistojë jo vetëm pranë strukturave të Prokurorisë së Përgjithshme, por dhe pranë Gjykatës së Lartë, me qëllim përshpejtimin e procedurave për të realizuar menjëherë të drejtat e të dënuarit pas shpalljes së vendimit të marrë nga gjykata, në rastet kur fiton lirinë.