E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për t’i dhënë fund “durimit prej murgu”



Enciklopedia e përgatitur nga Akademia e Shkencave e Maqedonisë, u bë papritur tema numër 1 e diskutimit në të gjitha shtetet e rajonit ku jetojnë shqiptarë. Nuk është e çuditshme që një paturpësi e tillë të vijë pikërisht nga kjo pseudo-akademi që në fakt vetëm këtë titull nuk e meriton. Një grup shovinistësh të edukuar dhe brumosur thellë në ideologjinë e Milosheviçit nuk ka se si të prodhonin një produkt shkencor të pranuar nga shqiptarët. Në ditët në vijim, pasi maqedonasit ose më mirë institucionet shtetërore që përfaqësojnë qëndrimin e “shtetit pa emër”, hodhi hapin e radhës për të fyer dhe diskriminuar shqiptarët, reagimi i faktorit shqiptar ishte një katastrofë e vërtetë. Pasi na quajtën kaçakë apo njerëz mali që plaçkitin shtëpitë e pronat e të tjerëve, pasi na etiketuan si të ardhur dhe jo autoktonë në tokat tona, edhe pse e dinë fort mirë së kaçakët dhe zaptuesit e pronave të të tjerëve janë vetë ata, reagimi i faktorit politik në FYROM ishte vërtet për të ardhur keq. Ndonëse pa rrëmuar në historinë e largët të dyndjes së sllavëve dhe zaptimit të tokave të shqiptarëve, por vetëm duke marrë si shembull spastrimin etnik që iu bë Manastirit dhe largimit të shqiptarëve nga ky qytet, ata që pretendojnë se përfaqësojnë interesat e shqiptarëve në atë vend, punën e parë që bënë, ishte të akuzonin njëri-tjetrin dhe të kacafyteshin se kush ishte bërë ndihmës i maqedonasve në këtë maskaradë të organizuar mjaft me kujdes. Në vend që të shfrytëzonin rastin për të lënë mënjanë mëritë e vjetra dhe në shumë raste banale e të tregonin të paktën një herë të vetme pjekurinë e duhur, ata vazhduan në rrugën e përçarjes, në rrugën që çon ujë pikërisht në mullirin e Gruevskit dhe të autorëve të kësaj enciklopedie. Është e paimagjinueshme dhe ndonjëherë në kufijtë e absurdes mënyra e sjelljes së politikanëve shqiptarë në Shkup. Si ka mundësi që nuk arrijnë të shohin realitetin ashtu siç është, por vazhdojnë të demonstrojnë një sjellje, kryesisht, në dëm të vetë shqiptarëve. Ndoshta do të ishte e mjaftueshme t’u vinin veshin vetëm shkrimeve të publicistit Kim Mehmeti për të kuptuar se çfarë janë duke bërë në të vërtetë. “Durimi i tepruar është virtyt i murgut dhe jo i politikanit thotë”, - Mehmeti. E megjithatë, mania e të shfaqurit i duruar dhe i urtë më shumë sesa duhet ka përfshirë gjithë faktorin politik shqiptar në rajon, përfshi këtu edhe Tiranën zyrtare. Në harkun e një muaji, dy zhvillime të rëndësishme politike kanë ndodhur në Kosovë dhe Maqedoni: Protokollet e EULEX-it dhe Pseudo-enciklopedia e Maqedonisë. Në asnjërin nga këto raste Shqipëria nuk mbajti një qëndrim zyrtar. Madje, as nga ato qëndrimet e vakëta të tipit “mbështesim qëndrimin e faktorit ndërkombëtar”. Përveç reagimeve sporadike personale të disa politikanëve në Tiranë, Ministria jonë e Jashtme nuk denjoi të dilte me një qëndrim zyrtar në lidhje me çështjen e fundit. Qytetarët shqiptarë pa dyshim janë ndier të zhgënjyer nga qëndrimi prej “murgu” i shtetit shqiptar. Ata që paguajnë taksat për të mbajtur në këmbë të shërbim diplomatik, nuk mund të pajtohen kurrsesi me këtë heshtje të vazhdueshme të qeverive shqiptare në vite, përballë arrogancës së sllavo-maqedonasve, të cilët duke u sjellë si një superfuqi, nëpërkëmbin me guximin më të madhe ndjenjat e shqiptarëve. Është e paimagjinueshme që ambasadori shqiptar në Shkup nuk tha asnjë fjalë në lidhje me enciklopedinë, ndërkohë që përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së pa asnjë finesë diplomatike, kërkuan tërheqjen nga tregu të këtij botimi. Duhet që të përfundojë njëherë e përgjithmonë qasja e diplomacisë shqiptare ndaj fqinjëve tanë të “shtetit pa identitet”; duhet të marrë fund koha kur heshtja ishte më shumë se e dhimbshme përballë dhjetëra shqiptarëve nga komuna e Rrajcës të cilët qëlloheshin në pyjet e zonës kufitare sikur të ishin derra të egër, nga ushtarët maqedonas. Nuk mund të shkojmë kurrkund më kompleksin e “fëmijës së urtë” që mendon se do shpërblehet një ditë për urtësinë e tij, por që në fakt më shumë përfiton ai “rrëmujaxhiu” dhe ai që vazhdimisht ngacmon. Është momenti që politikanët shqiptarë të kuptojnë së pozita e shqiptarëve në rajon ka ndryshuar dhe sa tashmë, jemi dy shtete shqiptare në këtë hapësirë të trazuar. Duhet që qeveritë shqiptare të kuptojnë se nuk kontribuon aspak për fqinjësinë e mirë përulja ndaj kapriçove dhe arrogancës së Shkupit, pasi në këtë mënyrë do të bëjmë të mundur që edhe Evropa të na shikojë si të vobektë të cilët duhen trajtuar si të paaftë për veten e tyre.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›