E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gashi i trishtuar nga huliganizmi në Suedi

Nga Express më 26 maj 2011 në ora 09:04

Ardian Gashi e quan trishtuese atë që ndodhi të martën mbrëma në ndeshjen e kampionatit suedez ndërmjet Malmos dhe Helsingborgut, kur u godit portieri i kësaj të fundit, Par Hansson nga një tifoz që hyri në fushë.

Futbollisti kosovar thotë se ishte ndier shumë keq kur e pa atë skenë dhe kur gjyqtari vendosi që ta ndërpresë lojën. “Është trishtuese ajo që ndodhi. Kjo nuk është mirë për futbollin suedez”, theksoi mesfushori ofanziv për uebfaqen norvegjeze tv2sporten.no.
Në momentin kur ndodhi incidenti, Helsingborgu po udhëhiqte me rezultat 1:0 me golin e R. Bouaouzanit, të realizuar në minutën e 30-të.

“Në ndeshje të tilla të rëndësishme, njerëzit duhet të vijnë në fushë dhe të kënaqen duke shikuar futboll, e jo që ndeshja të ndërpritet për shkak se një tifoz budalla e rrënon futbollin në mbarë Suedinë. Është trishtuese për Malmon dhe për ne. Sidoqoftë, ne do ta fitonim këtë ndeshje”, shtoi përfaqësuesi kosovar.

Kjo nuk është hera e parë që ndërpritet një ndeshje në futbollin suedez këtë sezon. Më pak se një muaj më parë, ndeshja ndërmjet AIK-ut e Syrianskas ishte ndërprerë kur gjyqtari anësor ishte goditur me fishekzjarr nga një tifoz.

Në duelin e së martës, Gashi pati për kundërshtar dy bashkëkombës, që luajnë në Malmo, Agon Mehmeti e Dardan Rexhepi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›