E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo prane ferrit do rikuperimin e finales se humbur me Tiranen

 Është nisur më shpejt se zakonisht, me mendjen të fiksuar vetëm në një gjë: shmangia e rënies për në kategorinë e parë, pra një kategori më poshtë.

Kjo e rrezikuar është Dinamo e Tiranës, një nga të mëdhatë e futbollit të këtij vendi, por që do të duhet të shpëtojë lëkurën kur të jetë të premten në orën 16:00 përballë Mamurrasit në fushën e stadiumit ”Besa” të Kavajës.

Me pesë tentativa të mëparshme që i kanë dalë me sukses, blutë e trajnerit Mergjyshi, kanë shumë besim se do t’ia dalin edhe kësaj radhe, ndërsa janë të shqetësuar nga zërat se Skënderbeu po kërkon disa prej lojtarëve të tyre më të mirë si Vila, Orelesi apo Malakarne.

Ish-kampionët u nisën që në orën 12.30, pra gati një ditë e gjysmë para zhvillimit të ndeshjes, me destinacion hotelin “Ylli I Detit”, ku do të përpiqet të pushojë dhe të grumbullojë të gjitha forcat për ndeshjen ndaj mamurrsakëve të presidentit Dedë Ndreca.

Për fatin e mirë të trajnerit Mergjyshi, skuadra blu nuk ka probleme dëmtimesh apo pezullimesh, ndaj mund ta luajë me potencial të plotë këtë ndeshje vendimtare, më të rëndësishmen e sezonit, madje më të rëndësishme sesa finalja e humbur e kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës në “Niko Dovana” në Durrës.

Dinamo kërkoi dhe arriti që të shtynte ndeshjen me një ditë, por nuk arriti të shtynte orarin për të luajtur në një temperaturë më të ulët, më të përshtatshme për të dhënë maksimumin.

Pesë herë ia kanë dalë, por nuk dihet nëse do t’ia dalin apo jo këtë herë të gjatë.

Në letër, Mamurrasi është shumë më pak cilësor sesa Dinamo, por në një 90-minutësh mund të ndodhë gjithçka dhe blutë shpresojnë që të shmangin atë që e pati për fat Partizani, i madhi tjetër i futbollit shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›