Hamilton, sfiduesi i vetëm i Vettelit

Lewis Hamilton synon ta fitojë garën për Shpërblimin e Madh të Monacos, pas pozitës së dytë që e zuri në Spanjë. Piloti i McLarenit e mbylli garën e Barcelonës vetëm 0,6 sekonda prapa fituesit Sebastian Vettel.
Anglezi është i vetëdijshëm se është i vetmi ngasës që mund ta mposhtë pilotin gjerman këtë sezon. Diferenca aktuale ndërmjet dy pilotëve është 41 pikë në të mirë të pilotit të Red Bullit.
“Diferenca është e madhe, por për momentin, jam i vetmi person që jam në gjendje të përballem me Sebastianin dhe ta bëj një gjë të tillë me një makinë që nuk është valide sa ajo e tij”, tha ish-kampioni i botës.
“Jam deri diku i kënaqur me këtë situatë, sepse janë disa momente kur pista nuk do të jetë si ajo e Spanjës, e cila dominohet nga aerodinamika, andaj do të jem në gjendje ta kaloj. Tash i kemi dy gara të mëdha përpara vetes, shpresojmë që diferenca të ngushtohet. Shpresoj që në Monaco të jemi të shpejtë”, deklaroi Hamilton, i cili përpos Monacos, synon ta fitojë edhe garën e Kanadasë.