Respekt për Man Utd

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi i ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij se Manchester United do ta kërkojë hakmarrjen, kur të dyja skuadrat do të takohen të shtunën në finale të Ligës së Kampionëve.
Të dyja ekipet u takuan dy vjet më parë, kur ekipi spanjoll fitonte 2-0 në Romë, duke triumfuar në këtë kompeticion. Tash, 23-vjeçari beson se ‘Djajtë e Kuq’ do të japin gjithçka që të shënojnë dhe të fitojnë në stadiumin Wembley, ku do të zhvillohet kjo ndeshje.
“Do të jetë një ndeshje spektakolare, sepse Manchesteri zhvillon lojë të hapur. Sikur Arsenali dhe nga pak sikur ne. Ata nuk luajnë me topa të lartë, por është një ekip teknik që e luan mirë këtë sport. United është ekip i madh, praktikisht i njëjti si dy vjet më parë, edhe pse pa Ronaldon e Tevezin. Ata kanë shumë lojtarë të mëdhenj dhe kërkojnë hakmarrje ndaj nesh”, tha ylli argjentinas për tabloidin britanik, ‘The Mirror’.
Ai hezitoi ta bëjë ndonjë parashikim për këtë ndeshje, ku shpreson që ta shohë skuadrën e tij që ta ngre lart edhe një trofe.
“Nuk kam ide se çka do të ndodhë. Të gjithë skenarët janë të mundshëm. Në futboll, gjithçka mund të ndodhë. Do të jap gjithçka është e mundshme që ta ndihmoj ekipin që të fitojë dhe shpresoj me të vërtetë që ky trofe të na takojë neve”, vazhdoi Messi.
Dy skuadrat më të mira në Evropë, Barcelona dhe Manchester United do të takohen në mes veti të shtunën mbrëma, në finalen e stadiumit Wembley të Londrës, në Angli.