Gashi jashtë Kombëtares, çuditet Larsson
Deri më tani nuk ka ndodhur që një ekip suedez të fitojë titullin e kampionit dhe kupën e shtetit gjatë një sezoni. Këtë e ka arritur sivjet Helsingborgu – i cili udhëhiqet nga kosovari me pasaportë norvegjeze, Ardian Gashi.
Ardian Gashi është një nga lojtarët më të mirë në elitën e futbollit suedez (Allsvenskan), por mesfushori 30-vjeçar nuk është në planet e Kombëtares së Norvegjisë. Për ish-yllin e Barcelonës, Henke Larsson, kjo është e çuditshme.
“Kjo është një çudi për mua. Që kur ka ardhur në Helsingborg, Gashi ka qenë një nga lojtarët më të mirë”, tha ish-reprezentuesi i Suedisë në një intervistë për televizionin norvegjez TV Sport 2.
Selektori i Norvegjisë, Egil Olsen këtë javë ka ftuar në përfaqësueses 14 futbollistë debutues që aktivizohen në shtetet skandinave për turneun e Tajlandës, i cili do të mbahet në janar.
As në mesin e këtyre emrave nuk është mesfushori kosovar, i cili me përfaqësuesen e Norvegjisë kishte debutuar në viti 2004 dhe kishte zhvilluar shtatë ndeshje me këtë skuadër.
“Është befasueses se si Gashi nuk është ftuar. Ai ka fituar tre tituj këtë vit dhe me siguri se është në gjendje të bëjë diçka të mirë për përfaqësuesen”, theksoi ish-futbollisti i Barcelonës, Celtic, Manchester Unitedit dhe Helsingborgut.
Norvegjia fton Berishën
Derisa Ardian Gashi mbetet jashtë Kombëtares së Norvegjisë, selektori Egil Olsen për turneun e janarit në përfaqësuese ka ftuar talentin kosovar, Valon Berisha i cili aktivizohet me ekipin norvegjez Viking. 18 vjeçar deri më tani është aktivizuar me përfaqësuesen U19 dhe U21 të Norvegjisë.