Gates: Nuk kemi asnjë informacion për Osama bin Ladenin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e dinë se ku fshihet lideri i Al Qaedas, Osama bin Laden, dhe prej vitesh nuk kanë asnjë informacion të saktë për ta lokalizuar. Kështu ka deklaruar sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, në një intervistë për televizionin ABC. Pyetjes nëse Pakistani është duke vepruar si duhet për kapjen e sheikut të terrorit, Gates i është përgjigjur: "Nuk e dimë se ku fshihet Osama Bin Ladeni. Nëse kjo do të dihej, do të kishim shkuar për ta kapur". Ai saktësoi më tej se hera e fundit që shërbimet sekrete të vendit kishin lokalizuar vendndodhjen e Bin Ladenit kishte qenë para shumë vitesh. Përkundrazi, sekretari i Mbrojtjes nuk ishte në gjendje të konfirmonte lajmin, sipas të cilit një i burgosur taleban në Pakistan ka treguar në fillim të vitit 2009 se e dinte shpellën se ku fshihej sheiku i terrorit. Një shpërblim prej 50 milionë dollarësh është ofruar nga shteti amerikan për kapjen, vdekjen apo çdo informacion tjetër që mund të çojë në gjurmët e Bin Ladenit. Pjesa më e madhe e ekspertëve mendojnë se ai fshihet në zonat pakistaneze, edhe pse shumë mendojnë se një qytet i madh i këtij vendi mund të përfaqësojë një strehë më të mirë. Në vitin 2006, qeveria saudite kishte mohuar përmbajtjen e një raporti të publikuar nga e përditshmja franceze "L‘Est Republicain", ku sipas Shërbimeve Sekrete Franceze, Osama bin Laden ka vdekur. "Informacionet e mbledhura nga Shërbimet Sekrete Saudite tregojnë se kreu i Al Qaedas ka humbur jetën më 23 gusht të vitit 2006 ndërsa gjendej në Pakistan, për shkak të një rasti shumë të rëndë të tifos që kishte çuar në një paralizë parciale të organeve të tij të brendshme". Megjithatë, qeveria saudite deklaroi se nuk kishte asnjë provë se Bin Ladeni ka vdekur. Për shumë njerëz, hipoteza më e mundshme është se Osama ka kaluar nga Afganistani në Pakistan në vitin 2001. Në një raport të fundit të Senatit amerikan thuhej se forcat amerikane ishin afër kapjes së tij në 2001, por Bin Ladeni arriti të largohej, sepse sekretari ia atëhershëm i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, refuzoi kërkesën për dërgimin e përforcimeve.