E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtimet për rrugët mbesin vetëm në fjalë

Mungesa e fondeve lë në mes një sërë aksesh rrugore të Qarkut të Fierit. Ndonëse qeveria shqiptare ka premtuar se gjatë mandatit të dytë qeverisës, jo vetëm do të çojë përpara autostradat e nisura gjatë katërvjeçarit të kaluar, por do të ndërtojë me dhjetëra segmente të rëndësishme rurale. Ndërsa shumë prej autostradave dhe rrugëve rurale u inauguruan vitet e mëparshme dhe gjatë fushatës së fundit elektorale, asnjë prej tyre nuk rezulton e përfunduar. Kështu, punimet në autostradën Lushnjë-Fier kanë "ngecur" në fshatin Vajkan, rreth 4 km larg Fierit. Në projekt kjo autostradë do të lidhej me anë të një "by-passi" me autostradën Fier-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, por në Vajkan, ku rreth dy vjet më parë mbeti gjurma, u shënua dhe fundi i këtij segmenti të autostradës. Ndërkohë, për "by-passin" e kësaj autostrade të papërfunduar, që do të lidhej me pjesën tjetër në perëndim të vendit, projektet kanë ndryshuar disa herë dhe asnjë gjurmë e saj nuk shihet e vënë në zbatim.

Ndërkohë, autostrada Fier-Vlorë, në territorin e Qarkut të Fierit ka shënuar vetëm pak metra punime. E njëjta situatë vijon edhe në rrethin e Vlorës, duke bërë që punimet të mbesin në mes. Ndërkohë që në situatë të ngjashme, paraqitet edhe autostrada tjetër e premtuar Levan-Tepelenë. Deri më tani nuk është realizuar asnjë kilometër rrugë. Ndërkaq, mjetet teknologjike janë larguar dhe prej javësh brigadat e punëtorëve nuk duken më të punojnë në këtë gjatësi rruge, të premtuar si autostradë. Por, pa investime dhe me punime të munguara kanë mbetur edhe mjaft rrugë rurale, të cilat janë servirur si premtime të bujshme nëpër fushatat elektorale. Janë shtatë rrugë rurale për të cilat është premtuar rikonstruksion i plotë. Në të shtatë këto rrugë kanë nisur punimet dhe për mungesë fondesh ato kanë mbetur pezull.

M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›