E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset: Legalizimi i aseteve çliron miliona dollarë

Vitin e kaluar për herë të parë u formulua drejtpërdrejt deklarata në formë kërkese për të pasur një amnisti fiskale më të gjerë: legalizim asetesh. Qeveria kishte sjellë në Kuvend për miratim një projektligj që u falte gjobat dhe detyrimet e vjetra kategorive të caktuara. E cilësuar nga ministri i Financave si "amnisti e vërtetë fiskale", që u falte bizneseve të paktën 160 milionë dollarë, për grupet e interesit në fakt nuk sillte asgjë të veçantë, përveçse pastrim bilanci. Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, plani për të pasur një amnisti tjetër më frytdhënëse fiskale po bëhej më i kërkueshëm. Sipas saj, legalizimi i aseteve i vjen në ndihmë biznesit, duke çliruar miliona dollarë të fshehura për arsye të ndryshme, por më së shumti i krijonte qeverisë të tjera mundësi të ardhurash në buxhet. Por, Ministria e Financave propozoi vetëm falje gjobash, me pretendimin se ishte njohur zyrtarisht me kërkesën e Dhomës së Tregtisë sa i takon legalizimit të aseteve.

Pengesë për futjen në treg të aseteve të fshehura është bërë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili kërkoi nga qeveria kujdes të rreptë në zbatimin e procesit të amnistisë.

Megjithatë, në dy vitet e fundit, qeveria është përpjekur të krijojë shtigje ligjore në kanalizimin e parave të padeklaruara në bilanc. Sikurse e citon Ministria e Financave në projektligjin "Për tatimin mbi të ardhurat", administrata tatimore has në vështirësi për deklarimet e bizneseve, kur ato i shtojnë kapitalet nga burime jashtë aktivitetit. Pra biznesit i është lejuar "donacioni", por pa e tatuar, kurse me variantin e ri propozohet vendosja e taksës 10 për qind.

Një tjetër nen i projektligjit "Për procedurat tatimore", turbullon disi botën e financave. Në të thuhet se "kategori tatimi do të jenë edhe të ardhurat e krijuara nga aktivitete të jashtëligjshme". Sipas Drejtorisë së Tatimeve, deri më sot (që nga dita kur u miratua ligji), nuk ka statistika që të jetë tatuar ndonjë e ardhur nga aktiviteti i jashtëligjshëm, edhe pse në kronikat e zeza janë dokumentuar sekuestrime të ndryshme pasurish.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›