E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interneti në shkolla, edhe pas mbarimit të mësimit

Një udhëzim i Ministrisë së Arsimit do të lejojë të gjithë nxënësit të lundrojnë në internet edhe pas mbylljes së orarit zyrtar të shkollave. Kjo do të thotë që edhe pas mësimit ose në oraret e drekës dhe pasdites nxënësit do të kenë mundësi të përdorin internetin e shkollës, të instaluar pranë kabineteve të informatikës. Udhëzimi pritet të lëshohet dhe të zbatohet shumë shpejt. Sipas Ministrisë së Arsimit, duke qenë se interneti është instaluar në shkolla, në kabinetet e informatikës ka kompjuterë që pas orarit të shkollës qëndrojnë "pa punë", atëherë nxënësit mund të shfrytëzojnë mundësinë për të punuar në kompjuterët e shkollës, për informacione, për të punuar lidhur me detyrat mësimore, por edhe për të vizituar faqet e parapëlqyera nga ta. Udhëzimi do të mbajë në punë "dezhurn" nga një mësuese për çdo ditë, kjo e vendosur sipas një grafiku nga drejtoria e shkollës. Pak ditë më parë, ministri i Arsimit zyrtarizoi mbarimin e projektit të internetit në shkolla. Plot 2107 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin, aktualisht kanë pjesë të "aseteve" të tyre edhe lidhjen me internet. Kompjuterë, kabinete informatike dhe "paketat" e dijes ofruar nga mësuesit janë pjesë e ofertës arsimore që u jepet nxënësve shqiptarë, nga jugu në veri. Lidhja e shkollave në internet është pjesë e projektit që bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës. Interneti në formë të "modernizuar", zonat wireless, do të jenë të pranishme edhe në ambientet universitare. Fakultetet e Universitetit të Tiranës do të nisin të parët nga zbatimi i projektit ambicioz, duke sjellë për studentët jo vetëm ‘tendencën‘ e homologëve të tyre në Perëndim, por duke i ndihmuar ata edhe me përmirësimin e shpenzimeve, duke i hequr "faturën‘ e internetit.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›