Gjyqtarët e dekretuar nga Topi, Kuvendi kalon vetëm gjysmat
TIRANË- Vetëm një ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për Tiranën, në mungesë të anëtarëve të opozitës, deputetët demokratë në Komisionin e Ligjeve kanë kaluar për votim në Kuvend vetëm gjysmën e dekreteve që Presidenti i Republikës ka depozituar për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Nga shqyrtimi paraprak që i janë bërë kandidaturave, Komisioni i Ligjeve kaloi dje për miratim vetëm dekretin e Fatmir Hoxhës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, duke lënë në fuqi rrëzimin e tre kandidaturave të tjera të Ardian Lekës, Edlira Jorgaqit dhe Artan Hoxhës, në bazë të një vendimi të mëparshëm. Për kandidaturat në fjalë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali tha se në bazë të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do t’i drejtohet përmes një letre Presidentit të Republikës për kthimin mbrapsht të tyre. “Ne vërtet kemi bërë relacione për të katër dekretet, që na kanë ardhur. Në vlerësimin tim, nëqoftëse ne do të vazhdonim të procedonim me të katërt relacionet, sot praktikisht jemi duke neglizhuar paralajmërimin e rëndë që na jep Gjykata Kushtetuese për cenimin që mund t’i vijë parimit të rotacionit nga procedimi ‘un-block’ për 4 kandidaturat. Në këto rrethana do të sugjeroja të nderuar kolegë, që ne të mund të dalim si komision me një propozim të tillë, t’i përcjellim Kuvendit vazhdimin e procedurës për kandidaturën që komisioni ka gjetur në përputhje me kriteret që parlamenti ka për vlefshmërinë e kandidaturave për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe nga ana tjetër, të përcjellim propozimin për Kryetaren e Kuvendit, për tre kandidaturat e tjera. Këto kandidatura të mund të kthehen mbrapsht dhe të riparaqiten në afatin që përcakton Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese, që e rikonfirmon pra me afatin trevjeçar nga plotësimi i vendeve vakante”, - u shpreh Rusmali. Kandidatura e Fatmir Hoxhës për në Gjykatën Kushtetuese do të votohet nesër në Kuvend, bashkë me dy dekretet e tjera të Presidentit të Republikës për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë; Shkëlzen Selimi dhe Edmond Islamaj. Kandidatura tjetër për Gjykatën e Lartë, ajo e Manjola Bejlerit, është konsideruar e papërshtatshme nga ana e komisionit të ligjeve, duke e rrëzuar me votë unanime. “Lehtësisht mund të konstatohet se performanca profesionale e znj. Manjola Bejleri nuk është ajo që kërkohet për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë. Si relatore i propozoj Komisionit që t’i rekomandojë seancës plenare mos dhënien e pëlqimit për kandidaturën për anëtare të Gjykatës së Lartë, Manjola Bejleri”, tha dje deputetja e PD-së, Paulina Hoti. Bazuar mbi qëndrimin e kësaj të fundit, anëtari tjetër, deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka shtuar: “...Duke qenë se paska kaq shkelje, do të ishte në nderin tonë, të komisionit dhe të relatores, që t’i paraqiste një raport dhe ministrit të Drejtësisë, që të fillonte procedimin penal ose edhe më tej, ndoshta për ndjekje penale”, - tha Sula.