E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati Libri i Transparencës, pritet shpërndarja e tij në shkolla



Libri i Transparencës është gati dhe do të publikohet këto ditë. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Albania” nga shefja e zyrës së shtypit në Ministrinë e Arsimit, Ermelinda Muho, e cila sqaron se libri ka përfunduar dhe pritet vetëm që të nisë shpërndarja e tij nëpër shkolla. Sipas Muhos, problemi në daljen e tij, qëndron vetëm te grafiku i shpërndarjes së tij në çdo shkollë të mesme. Për këtë, ajo thekson se, shpërndarja e Librit të Transparencës në shkolla është një proces që kërkon pak kohë, sidomos kur bëhet fjalë për shkollat e rretheve. Çdo shkollë e mesme do të ketë librin e saj të transparencës. Nëpërmjet këtij libri, maturantët që kanë kaluar procesin e Maturës Shtetërore do të njihen me pikët e marra. Në Librin e Transparencës do të jenë të gjitha pikët e përllogaritura të rreth 27 mijë maturantëve. Këta të fundit, duhet të paraqiten pranë shkollave përkatëse për t’u njohur me pikët që janë publikuar në këtë libër. Në Librin e Transparencës, secili nxënës ka mundësi të verifikojë të gjitha të dhënat e tij dhe të kontestojë pasaktësitë e mundshme. Në rast se nga maturantët do të ketë kontestime për pikët, atëherë ata do të kenë rreth dhjetë ditë kohë, për të bërë ankesat pranë Drejtorive Arsimore të rretheve përkatëse. Listat do të publikohen nëpër shkolla, nëpërmjet drejtorive arsimore. Njëkohësisht, listat e fituesve të fazës së pare, do t’i jepen edhe të gjithë shkollave të larta. Vetëm në një nga 10 degët e përzgjedhura, maturantët mund të shpallen fitues. Pritet që në datën 10 shator të shpallen listat e fituesve në 11 universitetet publike. Menjëherë pas shpalljes së tyre, do të fillojë faza e parë e regjistrimit, dhe më pas, sipas datës që do të përcaktojë Ministria e Arsimit, do të ketë një fazë të dytë regjistrimi, për të gjitha ato kuota të mbetura bosh. J.Tashi

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›