E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati eksodi te Milani

“Rinovim, kursim dhe ulje e moshës mesatare të skuadrës”. Këto janë kolonat ku do të bazohet merkato e ardhshme e Milanit, ku gjithçka do të rrotullohet rreth largimit të pjesës më të madhe të veteranëve. Tetë prej emrave kryesorë të Milanit janë mbi 30 vjeç dhe ende nuk ka asnjë shenjë për rinovimin e kontratave të pjesës më të madhe të tyre.

Objektivi i presidentit Berluskoni dhe krahut të tij të djathtë, Galiani është që mosha mesatare e skuadrës të ulet me të paktën 10 vjet. Aktualisht mosha e kontingjentit kuqezi është 33.4 vjeç, ndërsa me lëvizjet e reja synohet që ajo të shkojë 24.1.

Edhe pse ka dhënë shfaqur lëkundje, Gatuzo duket se do të qëndrojë edhe për sezonin tjetër, së bashku me dy liderë të tjerë të padiskutueshëm të skuadrës si Ambrozini e Jepes. Ndërkohë, emrat e sigurt të atyre që do të largohen janë Sedorf, Inzagi, Zambrota e Roma. Gjithashtu edhe Alesandro Nesta konfirmoi largimin pas 10 vjetësh te “Djalli”, ndoshta për të luajtur në Amerikë. “E mora këtë vendim, edhe pse kam kaluar një dekadë shumë të bukur dhe ku kam fituar shumë. Nuk e di ende nuk do të shkoj, po vlerësoj ofertat”, ishin fjalët e mbrojtësit.

Lamtumirën klubit mund t’ia japin edhe Maksi Lopez, Akuilani e Van Bomel. Për këtë të fundit nuk përjashtohet edhe qëndrimi, ashtu sikurse edhe për Flamini, pasi eksperienca e tyre do ti shërbente skuadrës mbi të gjitha në Champions League.

Me kaq shumë largime, Milani duhet të mendojë një strategji të goditur në merkato për të plotësuar më së miri skuadrën, boshti i së cilës pritet të jenë Zlatan Ibrahimoviç dhe Tiago Silva. Gjithashtu priten të konfirmohen edhe dy sulmuesit brazilianë, Robinjo dhe Pato, ndërsa Galiani ka premtuar të paktën dy blerje të mëdha dhe objektivat mbeten të zakonshmit, Karlos Tevez dhe Ganso.

Mes objektivëve të tjerë në merkato janë edhe Eriksen i Ajaksit, Hernanes i Lacios, Sandro i Totenhemit, Bakari Traore I Nansit dhe Rikardo Montolivo i Fiorentinës, ndërsa Sullei Muntari do të blihet përfundimisht nga Interi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›