E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati jetësimi i projektit të Qeverisë për votimin elektronik në zgjedhjet lokale

Ministri Genc Pollo: Do implementohet në disa njësi vendore, bashki dhe komuna

Ajo që në fillim dukej si e pamundur dhe irracionale për realitetin shqiptar, është tashmë thuajse e realizuar. Për herë të parë, Shqipëria mund të shkojë deri një standardi unik, duke garantuar realizimin e votimit elektronik, që gjatë zgjedhjeve të ardhshme vendore. Këtë garanci e jep Qeveria dhe qytetarët mund të votojnë në mënyrë elektronike, larg procedurave të ndjekura deri më tani, duke e bërë kështu procesin plotësisht të besueshëm dhe të pa kontestueshëm.
Ministri për Inovacion dhe Teknologjinë e Komunikimit e të Informimit Genc Pollo, tha se gjithçka është në dorë të opozitës, për të përcaktuar të gjitha detajet, sikundër dhe buxhetin për zbatimin e një projekti të tillë. Projekt që sikundër shprehet Pollo, do t’i jepte fund dhe kundërshtive mbi rezultatin e zgjedhjeve.
“është e mundur nëse kemi konsensus, nëse opozita bie dakord, të tentohet votimi elektronik. Votimi elektronik do ishte më i mundur të realizohej në disa bashki dhe Komuna në vend, për të cilat duhet të bihet dakord, të parashikohet buxheti, të bëheshin trajnimet e duhura, të merreshin masat që nga dizenjimi teknik, të prokurimit të realizimit, te familjarizimi i votuesve etj,. Kuptohet është një debat që nuk lind në ajër se[pse ka përvoja të tilla, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. Vendet që i kanë aplikuar, në këtë konkludim kanë arritur. çështja është a kemi vullnetin e duhur, a kemi dëshirën e mirë, a kemi vizionin e një sistemi zgjedhor ku dora e një njeriu, komisioneri i një partie apo të një tjetre, të ketë sa më pak rol dhe t’i besohet një algoritmi, një formule i cili është neutral nga ndikimet partiake”, u shpreh ministri Pollo.
Duke pasur parasysh kohën e pakët në dispozicion deri në zgjedhjet lokale 2011, parashikuar të mbahen rreth muajit prill të këtij viti, ministri Pollo thotë se për këtë përballje lokale, ai mund të zbatohet vetëm në disa njësi të pushtetit vendor. Sigurisht edhe përzgjedhja e tyre do të bëhej në konsensus të plotë me opozitën.
“Në momentin që edhe Partia Socialiste do kuptonte që duhen bërë përmirësime të caktuara në Kodin Zgjedhor, atëherë shpresoj që PS do mund të kujtohet që të niset dixhitalizimi i procesit zgjedhor. Për zgjedhjet e ardhshme është e vështirë të aplikohet në 400 njësi të qeverisjes vendore që ka vendi, është e udhës të procedohet për një numër të caktuar bashkish dhe komunash, për të cilat duhet të bihet dakord, edhe për kriteret mbi të cilat do përzgjidhen. është plotësisht i nevojshëm konsensusi, kjo është mëse e qartë”, deklaroi më tej, ministri për Inovacion dhe Teknologjinë e Komunikimit e të Informimit Genc Pollo.
Idenë e votës elektronike, e hodhi për herë të parë kryetari i qeverisë, si një praktikë që do të shmangte kontestet e partive politike mbi rezultatin zgjedhor.
Tashmë qeveria ka hedhur një hap përpara drejt zbatimit të tij, por miratimi i këtij ndryshimi në ligjin zgjedhor, kushtëzohet nga opozita, nisur nga numri prej 84 votash që kërkon për miratim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›