Ministria e Financave: Edi Rama është zhytur në zi dhe në krizë të pashpresë

Shqipëria ka rritjen ekonomike më të madhe në evropë, kryesocialisti vajton me lotët e Seserit dhe vajet e Berberit, rritjen e pagave dhe pensioneve
Financat reaguan sot ndaj deklaratave të deputetes socialiste, Rudina Seseri, e cila u shpreh për një realitet të zymtë ekonomik në vend, duke sulmuar shkurtimet e fundit buxhetore, si të pa mjaftueshme për t’i bërë ballë efekteve te recensionit global. Deputetja socialiste hodhi baltë mbi të dhënat e Qeverisë dhe Ministrisë së Financave për situatën ekonomike, dyfishimin e të ardhurave të tatimeve, rritjen e eksporteve dhe garantimi i donacioneve të huaja, të cilat do përdoren për stimulimin e ekonomisë përgjatë 3 viteve në vijim. Zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Anisa Serbo, u shpreh gjatë një konference për shtyp se opozita vazhdon t’i fryjë sirenave të krizës, ndërsa ekonomia shqiptare vazhdon të progresojë, pagat dhe pensionet vazhdojnë të rriten dhe po ashtu edhe investimet do njohin një dimension të ri. “Kryetari i Partisë Socialiste, Edvin Kristaq Rama, u fryu sërish sirenave të krizës ekonomike. Kësaj radhe, jo me gojën e zonjës Berberi, por me vajet e zonjës Seseri. Ky qëndrim i zotit Rama dëshmon, më së miri, tronditjen e tij të thellë politike, shpirtërore dhe psikologjike, për shkak të rritjes së rrogave dhe pensioneve në Shqipëri, gjë të cilën zoti Rama e cilësoi një veprim kriminal. Zoti Rama është zhytur në zi dhe në krizë të pashpresë, sepse këto 6 muaj nga tatimet dhe doganat u mblodhën 104 miliardë lek nga vetëm 50 miliardë, që u mblodhën në të njëjtën periudhë të vitit 2004, vitit më të mirë qeverisës të partisë së zotit Rama. Pra, u mblodhën 104% më shumë të ardhura. Zoti Rama përjeton me vuajtje të madhe faktin se eksportet e vendit këtë 6 mujor arritën në 82 miliard lekë, kundrejt vetëm 48 miliard që ishin në të njëjtën periudhë të vitit te kaluar”- u shpreh zëdhënësja, Serbo. Sipas saj, Edi Rama ndjehet i tmerruar përballë faktit që Shqipëria ka rritjen ekonomike më të amdhe në evropë dhe ka garantuar 3.2 miliard euro për mbështetjen e ekonomisë për 3 vitet në vijim. “Zoti Rama ndjehet i mjeruar nga fakti se, sot, Shqipëria ka rritjen ekonomike më të madhe në Europë dhe ka garantuar 3.2 miliard euro, si grante dhe kredi për tre vitet që vijnë, dëshmi kjo e besimit të palëkundur të financave ndërkombëtare tek ekonomia shqiptare. E këshillojmë zotin Rama, që, më mirë sesa të ngushëllohet me lotët e Seserit dhe vajet e Berberit, të marrë treguesit dhe të dhënat e ekonomisë shqiptare pranë Ministrisë së Financave ose nga institucionet ndërkombëtare”- deklaroi më tej, zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Anisa Serbo.
...