E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati negociatat midis PD-PS-së dhe partive të vogla parlamentare



Shaban Sulçe

Kriza politike që ka shkaktuar Kodi i ri Zgjedhor, i mbështetur nga PS-ja dhe PD-ja ka mbledhur dje gjashtë parti të vogla parlamentare për të diskutuar për gjetjen e një rrugëzgjidhje. Dje paradite është zhvilluar një takim me përfaqësuesit e LSI-së, PDK-së, PS ’91-shit, PBDNJ-së, PAD-së, PDS-së. Në këtë takim partitë parlamentare kanë unifikuar qëndrimin e tyre, duke denoncuar Kodin e ri Zgjedhor dhe e ka quajtur atë antidemokratik e cenues të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Partitë pjesëmarrëse në këtë tryezë kanë konstatuar se vendi ndodhet në një krizë të thellë politike dhe kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në zgjidhjen e saj. Gjashtë partitë pjesëmarrëse në tryezë kanë shprehur mbështetje ndaj propozimeve të bëra nga deputetët grevistë për përbërjen e komisioneve zgjedhore, duke i cilësuar ato si shumë eficente për zgjidhjen e krizës politike. Ato kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të vijuar protestat, në rast se dy partitë e mëdha, PS e PD, do të miratojnë Kodin e kontestuar Zgjedhor. Partitë e vogla parlamentare kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar me dy partitë e mëdha, PS e PD, për Kodin e ri Zgjedhor dhe veçanërisht për procesin e administrimit të zgjedhjeve. Për realizimin e këtyre bisedimeve është caktuar Partia Demokracia Sociale si negociatore.

Takimi
Rezultati i takimit të gjashtë partive parlamentare është bërë dje i ditur nga sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Ai paralajmëroi vazhdimin e grevës dhe protestave, në rast se PS-ja dhe PD-ja do të miratojnë me forcën e kartonëve Kodin e ri Zgjedhor. “Ne bëjmë publike që Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, nëse do të vazhdojnë me arrogancë dhe më këmbëngulje në këtë rrugë, për të miratuar një Kod të tillë, i cili legjitimon tjetërsimin e votës, pra shkul themelin e demokracisë dhe të funksionimit të një shteti demokratik, greva e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë do të vazhdojë, protestat tona përpara Parlamentit do të fuqizohen dhe do të zgjerohen. Ndërkohë, kjo protestë e madhe popullore do të zgjerohet dhe do të shtrihet në mbarë vendin. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë që përfundimisht Shqipëria të ketë zgjedhje me standarde ndërkombëtare dhe europiane, dhe nuk do të heqim kurrë dorë nga kërkesa për të pasur këto zgjedhje Shqipëria, si hapin e vetëm të mundshëm për të pasur një shtet demokratik dhe për të pasur demokraci të vërtetë në Shqipëri”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.

Leskaj

Partia Socialiste shprehet e hapur për të zhvilluar negociata me partitë parlamentare që kanë kontestuar përmbajtjen e Kodit të ri Zgjedhor, veçanërisht për kapitullin e administrimit të zgjedhjeve. Qëndrimi është bërë dje publik nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e cila tha se roli i Partisë Socialiste në reformën zgjedhore ka pasur si synim interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve si dhe realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Leskaj tha se çdo palë ka të drejtën e saj për të qenë pro apo kundër draftit për Kodin e ri Zgjedhor. Ajo tha se PS-ja ka argumentet e saj dhe ftoi palët kundërshtuese për t’i ballafaquar ato qetësisht përpara qytetarëve. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së tha se PS-ja është e hapur dhe e gatshme për të dialoguar në lidhje me procesin zgjedhor. “Ne kemi qenë e do të jemi të gatshëm të dialogojmë vijimësisht me të gjithë dhe nuk kemi akuzuar e fyer askënd që ka pikëpamje të ndryshme nga tonat, sepse qëllimi ynë nuk është të imponojmë një qëndrim tonin në dëm të dikujt, po të formulojmë një qëndrim sa më të drejtë në interes të publikut”, - tha kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj.

Deputetët grevistë: Greva do të vazhdojë nëse Kodi i ri Zgjedhor kalon

10 deputetët, letër të hapur: “Nuk do ta njohim asnjëherë Kodin e PS-PD-së”

Deputetët, apel faktorit ndërkombëtar: “Ndihmoni në mbrojtjen e zgjedhjeve!”

Shaban Sulçe

Dhjetë deputetët grevistë të Kuvendit të Shqipërisë, në ditën e tyre të tetë të grevës së urisë kanë bërë dje publike një letër në të cilën shprehin vendosmërinë e tyre për të vijuar ngujimin në rast se dy partitë e mëdha, PS e PD, do të kalojnë Kodin e ri Zgjedhor. Ata e kanë quajtur të papranueshëm këtë Kod, i cili, sipas tyre, bie ndesh me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, me parimet e konkurrimit të barabartë në zgjedhje si dhe me standardet perëndimore që duhet të kenë zgjedhjet në Shqipëri.
“Nëse Kuvendi i Shqipërisë e kalon këtë projektligj me nxitim, me shkelje të procedurave parlamentare, pa kontributin dhe konsensusin tonë, atëherë ne nuk do të njohim asnjëherë këtë Kod Zgjedhor dhe pasojat që vijnë prej tij. Do ta vazhdojmë grevën e urisë të nisur deri në garantimin e një Kodi Zgjedhor që garanton besueshmëri te votuesit, barazi te konkurrentët politikë dhe transparencë maksimale për administrimin e votave. Do të vazhdojmë aksionin e madh sensibilizues në të gjithë Shqipërinë dhe botën për të arritur qëllimin tonë të vetëm, zgjedhjet e lira dhe të pakontestuara”, - thuhet në letrën e nënshkruar nga 10 deputetët grevistë të LSI-së, PDK-së dhe PS ’91-shit.

Negociatat
Deputetët grevistë deklarojnë në letër se për shkak të injorimit që u kanë bërë grevës dhe kërkesave të tyre, ata kanë zhvilluar shumë negociata me faktorin ndërkombëtar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Duke vlerësuar rolin, interesimin dhe vlerësimin që kanë shfaqur për këtë çështje, deputetët grevistë i kanë bërë apel faktorit ndërkombëtar që të shprehet më hapur për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Në kushtet e mungesës së vullnetit të PS-PD-së për të përfshirë më shumë parti politike në procesin e administrimit të zgjedhjeve, në kushtet e injorimit flagrant të rekomandimeve të OSBE-së, ne mendojmë se faktori ndërkombëtar, përfaqësues të shteteve të veçanta perëndimore, duhet të flasin hapur në mbrojtje të rekomandimeve të veta dhe parimeve të shenjta të barazisë përpara ligjit, mosdiskriminimit me ligj të konkurrentëve politikë në një proces zgjedhor. Ne kemi mësuar shumë nga parimet e shenjta të vendeve perëndimore. Ne gjykojmë se vota e lirë dhe zgjedhjet e lira janë themeli i demokracisë dhe asnjë politikë sektoriale nuk mund të jetë më e rëndësishme se vota e lirë“, - vijon letra e deputetëve grevistë. Ata shprehen se janë dakord për propozimin e bërë kohë më parë nga Partia Socialiste për një përbërje vetëm teknike të komisioneve. “Fillimisht Partia Socialiste ka kërkuar komisione të depolitizuara në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pavarësisht se më vonë ndryshoi qëndrim. Ne kemi propozuar dhe deklaruar publikisht vullnetin tonë për këtë depolitizim të administrimit të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë realizohet konsensusi opozitar dhe zgjidhet kriza parlamentare. Nëse PS-PD reflektojnë dhe gjejnë konsensus për këtë variant, ne mirëpresim zgjidhjen, e cila është standard në gjithë Europën dhe botën moderne”, - vijojnë letra e 10 deputetëve.

Greva

Deputetët grevistë kanë hedhur poshtë të gjithë zërat, të cilët e kanë cilësuar grevën si zaptim të Kuvendit apo formë presioni. Ata kanë theksuar se greva është paqësore, nuk bëhet për interesa të ngushta partiake, por ka qëllim mbrojtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Greva e urisë nuk është dhe nuk duhet kuptuar në asnjë rrethane si mjet presioni. Ajo është paqësore, nuk synon realizim të qëllimeve të ngushta partiake, por vetëm realizimin e standardeve europiane për të garantuar zgjedhje të lira. Ne jemi të gatshëm të dalim nga kjo grevë dhe kontribuojmë për zgjidhje nëse PS-PD shprehen qartë për përfshirje më të gjerë të faktorëve politikë apo civilë në procesin e administrimit të zgjedhjeve dhe nëse Presidenti i Republikës apo OSBE-ja garanton vërtetësi dhe seriozitet të këtyre deklaratave“, - përfundon letra e deputetëve grevistë të LSI-së, PDK-së dhe PS ’91-shit.

Protesta

Dje është zhvilluar protesta më e madhe e mbështetësve të deputetëve të grevës së urisë, që nga fillimi i saj të hënën e kaluar. Dhjetëra mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, mbështetës të LSI-së, PDK-së, PS ’91-shit kanë marrë dje pjesë në një protestë madhështore në mbështetje të deputetëve grevistë. Protesta ka qenë paqësore, ndërsa protestuesit kanë mbajtur lule ndër duar dhe kanë kërkuar mbrojtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Do t’i them Edi Ramës që të reagojë si njeri, sepse miku i tij i ngushtë, Ilir Meta, dhe deputetët e tjerë në atë sallë, sot ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Nëse Rama nuk reagon, atëherë ndarja me të është përfundimtare”, - ka deklaruar Prifti. Ata që morën fjalën në miting sulmuan ashpër dy liderët e partive kryesore në vend, Sali Berishën dhe Edi Ramën. “Ky është një moment kyç. Jemi në një moment të rrezikshëm dhe vetëm me forcë mund të fitohet e drejta”, - ka deklaruar deputeti Spartak Ngjela.

PDK: Berisha të zgjidhë kërkesat e grevistëve

Partia Demokristiane, duke komentuar deklaratën e OSBE-së, akuzoi PS-në dhe PD-në se mashtruan shqiptarët kur deklaruan se OSBE-ODIHR-i ka rekomanduar reduktimin e numrit të komisionerëve. Gjatë ditës së djeshme PDK-ja i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të marrë përgjegjësitë e tij dhe të realizojë kërkesat e deputetëve grevistë. “PDK-ja i kërkon zotit Berisha të ngrihet në lartësinë e përgjegjësive kushtetuese dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm për plotësimin e kërkesave të drejta të deputetëve në grevë urie. Në e ftojmë z. Berisha të dëgjojë zërin e intelektualëve më të njohur shqiptarë, të cilët publikisht mbështetën grevën e urisë së deputetëve dhe kërkuan zgjidhjen e plotësimin e menjëhershëm të kërkesave të deputetëve grevistë”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Partisë Demokristiane.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›