E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy partitë e mëdha shtyjnë 24 orë miratimin e Kodit Zgjedhor

Negociatorët: Po shkelet Rregullorja e Kuvendit, Kodi duhet të diskutohet. Sot deputetët do të diskutojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, vendoset për grevën

Eljona Ballhysa
Dy partitë e mëdha kanë vendosur gjatë mbledhjes së djeshme të Konferencës së Kryetarëve të shtyjnë për 24 orë miratimin e Kodit Zgjedhor. Por Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare nuk ka marrë në konsideratë propozimin e dy negociatorëve të deputetëve grevistë, Jak Ndokaj dhe Dritan Prifti, për ngritjen e një grupi pune për të negociuar për kërkesat e dhjetë deputetëve grevistë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Dy negociatorët e kanë cilësuar shkelje të Rregullores së Kuvendit kalimin për miratim të Kodit Zgjedhor brenda një periudhe kaq të shkurtër.
Kontestimet
“Sapo përfundoi mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Ata vendosën që nesër (sot) të miratohet Kodi Zgjedhor. Nuk u mor parasysh këmbëngulja jonë, e Dritan Priftit dhe e imja që të paktën të ngrihej një grup pune për të negociuar”, - është shprehur Ndokaj. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Konferenca e Kryetarëve nuk e ka zbatuar Rregulloren e Kuvendit për afatet e depozitimit të projektligjeve për miratim në seancë. “Ne duke u bazuar në Rregulloren e Kuvendin kërkuam që të ketë një afat kohor që të zbatohet Rregullorja e Kuvendit. Sot kemi marrë kopjen e projektligjit dhe po t’i referohesh nenit 69 të Rregullores së Kuvendit, te kapitulli për shpërndarjen e projektligjeve thuhet se projektligjet i kalohen kryetarit të Kuvendit, i cili urdhëron ndarjen menjëhershme të tyre deputetëve. Projektligji nuk mund të futet në kalendarin e punimeve të Kuvendit pa kaluar të paktën dy javë nga data e paraqitjes së tyre. Pikërisht ky afat është shkelur”, - është shprehur deputeti demokristian Jak Ndokaj.
Vendimi
Konferenca e Kryetarëve vendosi dje që seanca parlamentare për Kodin Zgjedhor të zhvillohet sot në mënyrë që grupet parlamentare të kenë kohë për t’u njohur me ndryshimet e miratuara në Kodin Zgjedhor. Megjithatë, gjatë ditës së sotme pritet të ketë një tjetër mbledhje të Konferencës së Kryetarëve për të përcaktuar orën në të cilën do të mbahet seanca. Gjatë mbledhjes së djeshme është shpërndarë një raport i komisionit të posaçëm zgjedhor në të cilin është përshkruar puna e bërë nga ky komision. “Gjatë periudhës korrik-nëntor 2008, Komisioni i posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor ka qenë aktiv në punën e tij, duke zhvilluar 14 mbledhje, ku, përveç miratimit të formulimeve konkrete të neneve të projektligjit, janë bërë edhe seanca dëgjimore me grupet e interesit. Gjithashtu Komisioni ka zhvilluar një seancë dëgjimore edhe me zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, në lidhje me ecurinë e procesit të krijimit të Regjistrit Elektronik Kombëtar të Gjendjes Civile, Kartave të Identitetit dhe pasaportave biometrike”, - shkruhet në raport. Sipas dy bashkëkryetarëve të komisionit, “puna për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor nga ana e Komisionit ka qenë e ndarë në tri faza: negocimi dhe përgatitja e draft-neneve nga grupi i ekspertëve; prezantimi dhe diskutimi i neneve në Komision, i cili i miratoi ato, apo në raste të veçanta rekomandoi sugjerime për t’u përfshirë në variantin përfundimtar të projektligjit nga ekspertët si dhe miratimi nga Komisioni i tekstit integral të projektligjit”.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›