E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për ‘Tingujt e flautit’

Nga Express më 09 shtator 2011 në ora 13:30

Nga data 14 deri më 19 shtator në Prishtinë do të mbahet edicioni i pestë i Festivalit ‘Tingujt e Flautit’, në të cilin do të prezantohen shumë artistë vendor dhe të huaj.

Festivali ‘Tingujt e Flautit’, i përkrahur nga Ambasada franceze në Kosovë, gjatë këtij edicioni do të sjellë në Kosovë emra të njohur të muzikës artistike vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht asaj franceze.

Regine Lopez, këshilltare e parë në Ambasadën e Francës, të enjten gjatë një konference për medie, tha se ndihet e nderuar që këtë vit dita e parë e festivalit do të hapet nga artistët francezë.

“Edhe këtë vit Ambasada e Francës me Aleancën Franceze janë në mbështetje të këtij festivali. Ne jemi shumë të kënaqur që këtë vit Franca do të hapë festivalin më 14 shtator. Është një kuartet francez që do ta bëjë hapjen solemne”, u shpreh ajo.
Drejtoresha e Festivalit, Ermira Çitaku, çmoi lart kontributin e Ambasadës franceze për këtë festival, ndërsa sipas saj koncerti vazhdimisht do të jetë shumë interesant dhe është një mundësi e mirë që artistët nga mbarë bota të marrin pjesë në këtë festival.
“Jemi shumë të lumtur që do ta hapim me kuartetin francez. Zyra franceze gjithmonë ka qenë përkrahëse e festivalit kështu që këtë herë ne do ta hapim me koncertin e tyre. Programi do të jetë mjaft interesant, kurse ne do të vazhdojmë me studentët e flautit që është motivi kryesor që ne si organizator, e gjithashtu si profesionistë në këtë lëmi, t`i thërrasim njerëzit prej tërë botës që të marrin pjesë”, tha Çitaku.

Edicioni i pestë i festivalit ‘Tingujt e Flautit’, përgjatë gjashtë ditëve sa do të zgjasë, do të përmbajë një laramani paraqitjesh artistike të artistëve vendor dhe të huaj, derisa më karakteristikja do të konsiderohet paraqitja e artistit Shaqir Hoti me instrumente frymore folklorike nën përcjelljen e sopranos Besa Berberi.

Hyrja në këtë festival do të jetë falas përveç në ditën e fundit ku do të performojë Ansambli ‘Rexho Mulliqi’, në Sallën e Kuqe, ky hyrja do të kushtojë pesë euro.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›