Nuk zbardh vetëvrasjen
Letra e shkruar nga Luan Ademaj ka shumë gjasa që hetuesve të policisë së Pejës të mos iu ndihmojë shumë në zbardhjen e motiveve që e shtynë policin kufitar ta vrasë veten.
Dymbëdhjetë ditë pas vetëvrasjes së policit nga fshati Loxhë, hetuesit e policisë kanë vazhduar hetimet në lidhje me rastin, por duket se amaneti i viktimës nuk do t’u hyjë shumë në punë.
Edhe pse polici 37-vjeçar në momentin që kishte kryer këtë akt kishte lënë një letër, në të cilën besohet se tregohen në detaje arsyet e vetëvrasjes, policia ka qenë e rezervuar në dhënien e informacioneve rreth rastit.
Zëdhënësi Zeqir Kelmendi i ka thënë gazetës se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
Ai ka treguar se, në bazë të deklaratave që ka nga hetuesit në Pejë, në letrën e shkruar nga tashmë ish-kolegu i tyre nuk ka edhe shumë gjëra që do ta ndihmonin policinë të gjejë motivet që çuan në aktin tragjik të 13 shkurtit.
“Në atë letër nuk akuzohet askush dhe nuk përmendet ndonjë emër ose shkaqet që e kanë shtyrë policin të bëjë vetëvrasje klasike”, ka thënë Kelmendi për Express.
Luan Ademaj, pjesëtar i Policisë Kufitare, kishte vrarë veten më 13 shkurt, por rasti ishte mbajtur fshehur nga policia.
Babai i tre fëmijëve, para se të qëllonte veten me armën zyrtare, ka lënë edhe letrën, për të cilën pretendohej se përmban shpjegime të rëndësishme për policinë.
Policia në Pejë ka shpjeguar se aktualisht janë duke u hetuar të gjitha motivet e mundshme që e kanë shtyrë Ademajn t’ia marrë jetën vetes.
Në momentin kritik, anëtarët e familjes së të ndjerit nuk ishin në shtëpi. Ndërkaq, është spekuluar se vetëvrasja e tij është e lidhur me konfiskimin e një sasie mishi, më 10 shkurt, në pikën kufitare të Kullës, mes Malit të Zi dhe Kosovës.
Njësiti për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit nga Peja, në bashkëpunim me zyrtarët doganorë dhe ata të AVUK-ut, kishin konfiskuar 28 000 kilogramë mish, që dyshohej ta ketë prejardhjen nga India.
Ky nuk është rasti i parë që një pjesëtar i Policisë së Kosovës ndahet nga jeta, por është i pari që vetëvritet.