E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meraku i Marias

Maria Giuliana Civinini largohet nga Kosova me shumë gjëra që i kanë mbetur merak pa i kryer gjatë misionit të saj. Thotë se vendosja e sistemit të drejtësisë në Veri është problem politik, kurse për t’i arrestuar “peshqit e mëdhenj”, duhet kaluar në disa faza. Ish-kryetarja e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX’it flet për Express. Nga Jeton Musliu më 27 maj 2011 në ora 08:41

Para se të largohet nga detyra e saj, si kryetare e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX’it, Maria Giuliana Civinini, për herë të fundit paraqiti edhe raportin e punës së gjyqtarëve të këtij misioni për vitin 2010. Ky dokument është i mbushur me plot të arritura dhe duket paksa në kundërshtim me situatën e sistemit të drejtësisë në Kosovë, që kritikohet në të gjitha raportet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, italiania që ishte për tri vjet në Kosovë, para se të largohet, rrëfehet në Express.

Express: Për disa vjet keni qëndruar me mision në Kosovë. Iu ka mbetur diçka peng që nuk e keni realizuar?
M. Civinini: Po, sigurisht ka më shumë se një gjë që më ka mbetur merak që nuk e kam bërë, si për të rikthyer plotësisht sistemin e drejtësisë në pjesën veriore.
Siç e dini, atje kemi probleme të mëdha, e posaçërisht me shkeljen e të drejtave të njeriut. Arsyeja që gjykatorja mbetet e mbyllur dhe gjyqtarët shqiptarë e serbë nuk mund të ushtrojnë punën e tyre siç duhet për shkak të arsyeve të qarta politike, atëherë kjo sigurisht përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe se kjo është një detyrë kyçe që është dashur të ndodhë. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi të rikthejmë gjyqtarët vendorë, shqiptarë e serbë, e të funksionalizojmë gjykatën atje. Megjithëkëtë, ky është një problem politik që tejkalon kompetencat dhe mundësitë tona si gjyqtarë. Kjo është ajo që më ka mbetur merak që nuk ka ndodhur, e shpresoj e besoj se pasardhësi im në këtë post, Francesco Florit, të ketë mundësi ta realizojë.

Express: E përmendet se është problem politik. Nga cila pjesë e politikës vjen ky problem?
M. Civinini: Siç e dini, çështja e Gjykatës në Veri është pjesë e dialogut që po zhvillohet dhe si e tillë nuk mund të ndërhyjmë dhe është pjesë e një problemi më të madh që është shtruar për diskutim dhe kjo është arsyeja.

Express: Por kush pengon që ju të shtriheni dhe në atë zonë, politika e Prishtinës apo e Beogradit?
M. Civinini: Si gjyqtare, nuk është në kompetencën time të bëj me gisht në njërën apo tjetrën palë se kush e bart fajin për këtë problem. Megjithatë, konstatimi ynë është se ky problem është për arsye të mungesës së vullnetit politik dhe për shkaqe politike dhe pas këtij konstatimi, e jona është t’u adresohemi përgjegjësve politikë që të zgjidhet ky problem. Ne e dimë se zgjedhja përfundimtare dhe e qëndrueshme nuk është e lehtë, por zgjidhje pragmatike mund të gjenden.

Express: Gjatë tërë këtyre vjetëve të qëndrimit në Kosovë, nuk jeni shfaqur shumë në opinion. Pse?
M. Civinini: Diskrecioni është pikërisht tipari i një gjyqtari, pra puna ime ka qenë të punoj si gjyqtare dhe jo të jem e famshme në publik. Natyrisht se ka interes të paraqitesh në publik, atëherë kur ka çështje me interes për ta si një procedurë gjyqësore, atëherë paraqitet gjykatësi apo kushdo qoftë. Por puna e gjykatësit nuk nënkupton edhe interaktivitet me media.

Express: Në raportin e punës për vitin 2010 të gjyqtarëve të EULEX’it ka vetëm lavdërime, ndërkohë që ju përmendet sa ka shumë probleme. A nuk është kjo kontradiktore?
M. Civinini: Natyrisht nuk ka ndonjë gjyqësor në botë që është i përsosur. Gjithkund ka vend për përmirësime, por besoj se të gjitha këto të arritura pozitive që janë realizuar, ka pasur ndryshme në perspektivë. Kjo do të thotë se janë reduktuar kompetencat ekzekutive dhe janë shtuar ato të monitorimit dhe se përgjegjësia e veprimit u takon më shumë vendorëve, që ata të kenë prezencë më të madhe në numër edhe nëpër panelet e procedurave gjyqësore dhe kjo është besoj arsyeja. Besoj se gjyqtarët vendorë kanë nevojë që të kenë më shumë besim nga qytetarët dhe se mediat me vështrime edhe kritike, kanë rol të rëndësishëm në këtë drejtim, sepse pa këtë mbështetje, gjyqësori nuk do të jetë i aftë të ballafaqohet çdo ditë me presionin edhe politik dhe sfidat e tjera.

Express: Qytetarët i kanë besuar shumë EULEX’it, por kohëve të fundit duket se ata janë më shumë të zhgënjyer?
M. Civinini: Sigurisht se keni pasur të pritura, për “zënien e peshqve të mëdhenj”. Megjithatë, kjo nuk funksionon në këtë mënyrë, së paku nga këndvështrimi i gjyqësorit. Për këtë ka shumë faktorë të tjerë dhe se për një vit apo më shumë, nuk mund të njihet mentaliteti se si është zhvilluar vetë korrupsioni. Ju e dini se ne si gjyqësor, në shtetin prej nga unë vij (v.j Italia), kemi bërë spastrimin më të madh nga korrupsioni dhe veprat kriminale dhe kjo është punë që vazhdon. Tjetra është se ju duhet që si shoqëri e cila ka të zhvilluar kulturën e raportimit të rasteve të korrupsionit, sepse fundja, korrupsioni nuk gjendet në rrugë.

Express: Atëherë, a kemi apo nuk kemi “peshq të mëdhenj”?
M. Civinini: Nuk e di, unë i njoh peshqit e mëdhenj apo të vegjël vetëm atëherë kur ata janë në procedurë gjyqësore. Janë disa faza që duhet arritur te peshqit e mëdhenj, në fillim shkohet tek ata mesatarë. Korrupsioni mund të luftohet më lehtë në rast se nuk ka një mjedis të favorshëm për të e kjo nënkupton që njerëzit të mos kenë vullnetin të paguajnë dhe ata njerëz që japin para, sipërmarrësi do të gjejë mënyrën për të mbërritur tek ai. Ne si gjyqtarë besojmë në drejtësi dhe patjetër që na duhet optimizmi.

Express: Si do ta përshkruanit Kosovën për një italian që nuk ka qenë asnjëherë këtu?
M. Civinini: Kosova për mua ka qenë një sfidë dhe përvojë sfiduese, posaçërisht me gjyqësorin, sepse është një vend me traditë, por që duhet të ketë një gjyqësor të pavarur, efikas dhe modern. Kam takuar persona fantastikë si kryetari i KGJK-së, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës e shumë të tjerë. E ardhmja e Kosovës varet pak nga mjedisi, është një vend shumë i bukur, por mendoj se duhet të ketë më shumë përkujdesje edhe nga ana e qytetarëve, sepse kemi në njërën anë objekte të mëdha që ndërtohen, e në anën tjetër shumë mbeturina.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›