E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati për grushta

Para duelit të së shtunës, Xhavit Bajrami dhe kundërshtari i tij Freddy Kemayon janë takuar sy më sy. Të premten në Prishtinë është bërë prezantimi dhe peshimi për të dy kick-boksierët.

Kick-boksieri kosovar dhe ai francez të shtunën në mbrëmje do ti kryqëzojnë dorëzat, në duelin që është i vlefshëm për titullin e kampionit të botës në kick-boks, në versionin ISKA (International Sport Kick-boxing Asociation).

Kosovari me pasaportë zvicerane, Xhavit Bajrami ka thënë se është i gatshëm për duelin kundër Freddy Kemayon. Ai ka përsëritur edhe njëherë dëshirën për ta mbrojtur titullin e kampionit të botës në kick-boks, në versionin ISKA.

Unë jam përgatitur shumë mirë për këtë meç gjatë stërvitjeve në Holandë. Unë nuk synoj ta nokautoj kundërshtarin, por objektiv i imi është fitorja, ka deklaruar Xhentëlmeni në konferencën për media.

Unë nuk dua ta tregoj strategjinë time këtu, por atë do ta tregoj në ring. Gjatë stërvitjeve të mia kam punuar me legjenda të kick-boksit, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, edhe kick-boksieri francez, Freddy Kemayo është optimist se do të triumfojë në përballje me Bajramin.

Po, ka shanse të mira që ta fitoj titullin e kampionit botëror. Unë nuk frikësohem nga Bajrami. Sikurse në çdo meç tjetër, njëjtë edhe në këtë besoj se do të fitoj, tha Kemayo i cili tregoi se nuk i njeh mirë cilësitë e Xhavit Bajramit.

Ndërsa kryetari i IKSA-s për Evropë, Fritz Eksemberger, tha se ky meç pritet të jetë shumë interesant sepse Bajrami ka pasur paraqitje të mira vazhdimisht, kurse Kemayo ka korrur suksese të kënaqshme.

Kick-boksieri francez gjatë matjes peshoi më rëndë sesa Bajrami. Francezi kishte 104 kg, kurse kosovari, i cili ishte më shtatlartë sesa kundërshtari i tij, peshoi 95 kg.

Para meçit kryesor mes kosovarit me nënshtetësi zvicerane dhe francezit do të zhvillohen gjashtë para-meçe të tjera ndërmjet reprezentacionit të Kosovës dhe atij të Bosnje e Hercegovinës.

Ky eveniment nis nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, derisa organizatorët njoftuan se çmimi i biletës është 5 euro.

Në vitin 2004, Bajrami e kishte fituar titullin e parë të botës në Prishtinë, kur e kishte mposhtur Peter Grahamin e Australisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›