E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Kufoma e Kelmendit u vra me dy plumba në kufi

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Dy plumba pistolete i kanë marrë jetën para rreth 20 vitesh, viktimës së gjetur në Kelmend. Trupi i gjetur në shpellën e Cetinës i përket një personi mashkull, rreth 30 vjeç. Sipas policisë dyshimet kanë ngritur dy pista hetimi: e para se viktima mund të jetë vrarë nga policia ushtarake gjatë tentativës për të kaluar kufirin në fund të viteve ‘80-të. Ndërsa e dyta, se ndonjë banor i zonës ose malazez të jetë ekzekutuar e për të humbur gjurmët e kanë fshehur në shpellë. Kjo, pasi fshati Selcë ndodhet në kufi me shtetin fqinj të Malit të Zi dhe nuk përjashtohet fakti se mund të jetë dhe shtetas malazez. Për të zbuluar identitetin e viktimës, policia e Shkodrës po harton një listë me emrat e personave të zhdukur nga kjo zonë. Mbi bazë të kësaj liste do të kryhet puna për të zbardhur emrin e viktimës e më tej rrethanat e vdekjes së tij. Do të jetë ekspertiza shkencore në laboratorët e posaçëm, ajo që në bazë të krahasimit të të dhënave do të bëjë edhe identifikimin e plotë. Pas gjetjes së rastësishme të skeletit të një njeriu në afërsi të fshatit Selcë, pikërisht në vendin e quajtur Shpella e Cetinës në komunën e thellë të Kelmendit, policia ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me identifikimin e mundshëm të saj, si dhe të shkaqeve që kanë çuar në vdekjen e personit. Sipas hetimeve paraprake, mendohet se skeleti i përket një personi me moshë rreth 30 vjeç. Burime nga fshati Selcë bëjnë të ditur se eshtrat e gjetura në mënyrë të rastësishme nga banorë të kësaj zone dy ditë më parë, kanë dalë në sipërfaqe rreth 30 metër larg rrugës së fshatit, aty ku dikur ndodheshin varrezat e zonës. Dyshohet se kjo ka ndodhur pasi shpella e Cetinës ka pësuar një shembje nga faktorët atmosferikë, duke i nxjerrë pjesë të eshtrave të skeletit në sipërfaqe, të cilat u panë dy ditë më parë nga një banor i zonës. Nga këqyrja paraprake e kafkës rezulton se në të janë gjetur shenjat e dy plumbave të pistoletës që i kanë provokuar vdekjen atij, pasi i janë qëlluar nga pas koke. Skeleti u gjet mbrëmjen e së martës dhe paraditen e djeshme janë nxjerrë pjesët kryesore të tij, të cilat janë dërguar për ekzaminime dhe analiza të mëtejshme në laboratorët përkatës. Për policinë do të nisë puna hetimore e mirëfilltë me hapje e dosjes për vrasje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›