E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Burgjet shqiptare s‘plotësojnë kushtet

 

TIRANE – Burgjet shqiptare kanë mangësi për sa i përket respektimit të së Drejtave të Njeriut. Ky është përfundimi me të cilin ka dalë Komiteti Shqiptar i Helsinkit pas përfundimit të një vëzhgimi në periudhën tetor-dhjetor të vitit të kaluar paraburgimet: “Jordan Misja” e “Mine Peza”, në Tiranë; Berat; Durrës e Vlorë, si edhe burgjet: “Shën Koll”, Lezhë; Fushë-Krujë; Krujë; si dhe Vaqar, “Ali Demi” dhe Spitali i Burgjeve në Tiranë. Sipas KSHH-së, qëllimi i monitorimeve ishte vlerësimi i situatës së të drejtave të personave të paraburgosur në përgjithësi, i kushteve fizike të jetesës nëpër institucione, i atmosferës së përgjithshme që mbizotëronte në këto institucione, kujdesi social dhe shëndetësor që ofrohej në këto institucione, si edhe aspekte të tjera që lidhen me të drejtat e të paraburgosurve dhe të dënuarve në përgjithësi. Problemi i parë i vërejtur nga  vëzhguesit ishte mbipopullimi, fakt ky konkret prej shumë vitesh në të gjithë institucionet e burgjeve. “Në disa prej institucioneve kishte mungesë të energjisë elektrike dhe të ujit të rrjedhshëm 24 orësh dhe godinat ishin totalisht të amortizuara dhe me lagështirë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e personave të privuar nga liria. Në Rrogozhinë dhe në Burrel, në sektorin e paraburgimit, në një dhomë mund të qëndronin nga 6 deri në 12 vetë” thuhet në raportin e KSHH-së. Më tej, theksohet higjiena e ambienteve të brendshme ishte një tjetër problem i konstatuar, si dhe në disa burgje nuk funksiononin dushet e përbashkëta apo ishin në gjendje të amortizuar sendet personale. Ndërkohë, që janë gjetur raste kur të burgosurit flinin në dysheme, ndërsa ka pasur mungesa të theksuara të personelit mjekësor.            fa.ma. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›