Shqiptari bëri katër vrasje, kërkohen 60 vjet burg
ITALI – Shqiptari i akuzuar nga drejtësia italiane si autor i katër vrasjeve rrezikon të mbetet në burg deri në moshën 93-vjeçare. Prokuroria e Bergamos, në Itali kërkoi dje nga gjykata dënimin me 60 vjet heqje lirie për shqiptarin Almir Haruni. Në seancën e djeshme në ngarkim të shqiptarit 33-vjeçar, organi i akuzës ka kërkuar shpalljen e tij fajtor dhe dënimin e tij me burg për 60 vjet. Sipas prokurorisë, Haruni është autori dy vrasjeve të dyfishta të ndodhura në Osio Soto në vitin 1998 dhe në Marseana në vitin 2006. Duke iu referuar hetimeve të kryera përfaqësuesi i organit të akuzës ka bërë të ditur se Haruni ka vrarë me armë zjarri, pistoletë, dy kushërinjtë shqiptarë Astrit dhe Flamur Kolaveri në Osio Soto, ndërsa me thikë dhe me pistoletë Kujtim Ibajn dhe Florinfa Mukajn në një kodër në Marseana. Sipas akuzës, në ngjarjen e parë ai ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët drejtësia nuk ka mundur t’i identifikojë. Bëhet e ditur se ajo që ka hedhur dritë mbi zbardhjen e dy ngjarjeve të rënda kanë qenë përgjimet e bisedave telefonike të Harunit. Analizimi i tabulateve telefonike u ka mundësuar investiguesve të bënin rindërtimin e lëvizjeve të së pandehurit Haruni. Gjithashtu, vendimtare në faktimin e autorësisë së 33-vjeçarit në ngjarjet kanë sipas prokurorisë së vendit fqinj edhe gjurmët e gjakut të tij në dy vendet e krimit. Hetuesit kishin marrë kampione gjaku që nuk i përkiste viktimave në gjethet e pemëve të pyllit ku u gjetën dy viktimat në Marseana dhe në një gotë të thyer në lokalin në Osio ku u vranë kushërinjtë Kolaveri. Pas kryerjes së analizave të ADN-së ka rezultuar se ai i përkiste të njëjtit person. Ishte ky fakti që bashkoi në të njëjtin procedim penal dy ngjarjet që deri atëherë po gjykoheshin të veçuara. ar.ba