E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen eksplozivët në Sarandë, qyteti tronditet në mesnatë

 

SARANDE – Një shpërthim eksplozivi trondit Sarandën pak pas mesnate. Pas afro 7 muajsh që nga ngjarja e fundit me vendosje lëndësh plasëse në këtë qytet, ato u rikthyen dhe një herë frikshëm. Për fat nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Shpërthimi ndodhi në hapësirën brenda një blloku pallatesh në lagjen nr.4 të qytetit. Sasia e eksplozivit, sipas burimeve policore, mendohet të jetë rreth 100 gramë. Ajo ishte vendosur 2 metra larg pallatit më të afërt, atij me nr.4. Nga shpërthimi i fuqishëm i lëndës plasëse është krijuar një gropë e thellë, rreth 15 cm dhe dëme të konsiderueshme në disa apartamente të pallateve 4, 6 dhe 8, në thyerje xhamash dhe dëmtime dyersh. Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të policisë së Sarandës, por që edhe pas hetimeve në vendin e ngjarjes, nuk kanë arritur dot të zbardhin jo vetëm autorin, por as objektivin dhe motivin e vendosjes së eksplozivit. Banorë të shqetësuar, janë shprehur se, ky është rasti i dytë që vendosin eksploziv në këtë bllok pallatesh, në harkun kohor të 6 muajve të fundit. “Nëse duan ta kryejnë këtë veprim, të paktën të mos na shqetësojnë e dëmtojnë ne, por vetëm objektivin që mund të kenë autorët. Brenda 7 muajsh janë shënuar në qytetin e Sarandës 7 shpërthime me lëndë plasëse, duke dëmtuar automjete apo objekte të ndryshme. Në njërin prej tyre, shënjestër u bë makina e oficerit të policisë gjyqësore Ismail Lala, ngjarje e cila ende ka mbetur pa autor, ashtu si dhe të gjithë precedentët e tjerë.        sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›