E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për rikandidim

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e nxori nga Zyra e Presidencës, Behgjet Pacollin. Por bashkëpunëtorët e tij thanë se i mblodhën nënshkrimet për ta rikandiduar atë. Kryeministri Hashim Thaçi tha se Presidenti zgjidhet javën e ardhshme. Koalicioni tashmë është në kërkim të një kundërkandidati për Pacollin Nga Shpend Limoni më 31 mars 2011 në ora 10:45

Behgjet Pacolli i ka dhënë fund punës në Zyrën e Presidentit të Kosovës që e kishte filluar më 22 shkurt, pas zgjedhjes në krye të shtetit në Kuvend, në një votim të cilën Gjykata Kushtetuese këto ditë e shpalli jokushtetues.

Vendimi i Gjykatës më të lartë nuk e detyroi njeriun e parë të vendit të japë dorëheqje nga posti, por Pacolli tha se do të largohet nga Presidenca.

“Nuk ka nevojë për dorëheqje, unë praktikisht largohem nga Zyra e Presidentit dhe procesi do të rifillojë drejt pikës zero”, ka thënë Pacolli për Radio Dukagjinin, të mërkurën.

Ai ka shtuar se nuk është i sigurt nëse do të rikandidohet për postin më të lartë. “Nuk është e sigurt nëse unë do të rikandidohem për post të Presidentit, kjo çështje i takon koalicionit, nëse koalicioni vendos kështu, unë do të marr në konsideratë këtë vendim”, ka thënë Pacolli.

Vendimi i Gjykatës është përmendur edhe në njoftimin që është lëshuar të mërkurën nga Presidenca.

Në të thuhet se Pacolli do ta respektojë vendimin e Gjykatës, duke mos komentuar për të.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, sikurse ka paralajmëruar, është i gatshëm të respektojë në plotëni aktgjykimin dhe, me qëllim të respektimit të institucionit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nuk ka asnjë koment lidhur me vendimin. Konsiderojmë që Kuvendi i Kosovës është organi kompetent për të ndërmarrë sa më parë hapat e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Pavarësisht se Pacolli nuk ka konfirmuar rikandidimin, zyrtarë të lartë të AKR’së kanë thënë se ai është kandidati i vetëm, përderisa kanë pohuar se gjatë ditës kanë siguruar edhe nënshkrimet për kandidaturën e tij.

Ushtruesi i detyrës së kreut të AKR’së, Ibrahim Makolli, ka thënë se çështja e nënshkrimeve nuk ka qenë asnjëherë problem, derisa ka theksuar se seanca e jashtëzakonshme në të cilën do të përsëritet votimi për Presidentin e vendit do të mbahet shumë shpejt.

Të mërkurën është folur për mundësinë që seanca e jashtëzakonshme të mbahet ose të premten, ose të hënën e ardhshme.

Madje, burime të Expressit kanë thënë se partnerët e koalicionit tashmë kanë filluar të mendojnë edhe për një kundërkandidat të Pacollit, i cili ka gjasa të jetë edhe nga partitë e pakicave. Për këto ende nuk është vendosur asgjë.

Sido që të jetë, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Qeveria e tij do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të sillet konform këtij vendimi. Ai paralajmëroi se në fillim të javës së ardhshme do të ketë një zgjidhje kushtetuese për presidentin, duke ftuar opozitën për bashkëpunim.

Krasniqi nuk ndihet fajtor

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi të mërkurën ka ndërprerë një vizitë në Hungari për shkak të situatës së krijuar. Ai në një konferencë për media ka komentuar vendimin e Gjykatës, duke thënë se e ka udhëhequr seancën duke u bazuar në “stenogram”.

“Unë e kam udhëhequr një seancë në bazë të stenogramit që e kam pasur të përgatitur dhe, realisht, unë i kryej përgjegjësitë e mia konform stenogramit që e kanë përgatitur. Unë asnjë, asnjë shtesë ose mangësi nuk e kam përdorur, përveç asaj që e kam pasur në stenogramin, mbi të cilat mbahen seancat plenare”, ka thënë ai.

“Edhe në këto momente, ndoshta jo krejt normale, del diçka e mirë – gatishmëria e të gjithë akterëve që ishin në këto procese për të respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të RK’së dhe kjo mendoj që është diçka që duhet të mësohemi që vendimet e institucioneve të pavarura dhe institucioneve kushtetuese të respektohen nga të gjithë”, ka shtuar Krasniqi.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, e ka nxjerrë fajtor Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen antikushtetuese të Presidentit.

Krasniqi ka thënë se nëse është në interes të vendit, mund edhe të japë dorëheqjen për shkak se ai ka drejtuar seancën e 22 shkurtit.

“Nëse është interesi edhe i imi, mbi të gjitha i Kosovës, po them përsëri mbi të gjitha i Kosovës, ne jemi këtu për t’i mbrojtur interesat e vendit tonë, edhe atëherë kur mund të cenohen interesat personale të individit”, ka thënë Krasniqi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›