Gati për sezonin e ri

Është gjithçka gati për fillimin e kampionatit të ri në Superligën e Kosovës në futboll. Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) e ka mbajtur një mbledhje të mërkurën ku ka debatuar rreth përgatitjeve për fillimin e kampionatit të ri.
Në njoftimin e lëshuar nga shtëpia e futbollit kosovar thuhet se përveç debatit rreth fillimit të sezonit të ri, Komiteti Ekzekutiv ka miratuar edhe Listën e kontrollorëve të Superligë dhe Ligës së parë si dhe listën e gjyqtarëve të Superligës.
Mirëpo, jo të gjitha klubet kanë aplikuar për licencim në FFK kur kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në fillimin e sezonit të ri. Sipas zyrtarëve të administratës së FFK-së, vetëm tri skuadra të Superligës janë licencuar; kampioni, Hysi, fituesi i Kupës, Besa dhe skuadra nga Kastrioti, KEK-u.
Sipas tyre, në shtëpinë e futbollit kosovar, pjesërisht kriteret i kanë përmbushur Trepça ’89, Gjilani dhe Vëllaznimi. Ndërsa, të mërkurën kanë aplikuar edhe Liria, Lepenci dhe Prishtina.
“Sot kanë aplikuar për licencim Liria, Lepenci e Prishtina. Do t’i shqyrtojmë aplikimet e tyre, nëse janë komplete. Ndërsa, në ditët në vazhdim presim edhe aplikime të tjera”, tha zyrtari i administratës së FFK-së, Bajram Neziri.
Problem, kompletimi i transferimeve
Problem i moslicencimit të disa skuadrave është bërë çështja e transferimeve. Një pjesë e mirë e skuadrave kosovare janë përforcuar me lojtarë nga vendet fqinje, por që nuk i kanë kompletuar dokumentacionet e nevojshme, siç kërkon UEFA dhe FIFA.
“Licencimet janë kryer gati në çdo aspekt, por çështja e transfereve të jashtme është një problem që nuk është zgjidhur ende. Klubet po mendojnë që vetëm me një letër mund ta regjistrojnë një lojtar të huaj në FFK. Jo, kështu nuk shkon, le ta harrojnë një gjë të tillë. Po duan të hyjnë në FIFA, pra le t’i respektojnë rregullat e saj. Klubet kanë afat deri më 20 gusht. Në rast se nuk i kompletojnë dokumentet e nevojshme, lojtarët e tyre nuk do të lejohen të luajnë në Kosovë”, është shprehur Salihu.
FFK-ja kërkon dokumente të detajuara dhe certifikata edhe nga lojtarët që arrijnë nga Maqedonia e Shqipëria.
Prishtina e Trepça s’e duan Feratin
Prishtina dhe Trepça kanë kërkuar nga Komisioni për gjyqtarë pranë Federatës së Futbollit të Kosovës që mos ta delegojë gjyqtarin Muhedin Ferati, në takimet që i zhvillojnë këto dy skuadra, sezonin që vjen.
“E kemi marrë kërkesën, por gjithçka do të vendoset javën tjetër, në Kuvendin e Punës. Aty do të shqyrtohet nëse kanë të drejtë apo jo këto klube. Në bazë të rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s, klubet nuk kanë të drejtë të kërkojnë për ndërrimin apo mosdelegimin e gjyqtarëve”, u shpreh kryetari i këtij Komisioni, Ruzhdi Breznica.
Edhe një klub serb në FFK
Futbollit të Kosovës tashmë iu shtua edhe një klub i minoritetit serb. Bëhet fjalë për KF “Pasjani”, i cili e ngriti në katër numrin e ekipeve serbe, pas KF Kamenica, KF Kristal dhe KF Lubeteni. Ndërsa, në total numri i ekipeve nga minoritetet arrin në 6, duke llogaritur KF ”Prizren-Spor” nga pakica turke dhe KF Behari nga pakica boshnjake.