Ndahen baras
Përfaqësuesja e Kosovës U-15 ka barazuar me rezultat 1-1 me Kombëtaren shqiptare të të njëjtën grupmoshë, në ndeshjen miqësore të zhvilluar mërkurën. Të dyja skuadrat kanë treguar cilësi dhe është zhvilluar një ndeshje mjaft interesante, e cila i kënaqi shikuesit e paktë të pranishëm në stadium.
Ekipi shqiptar ka kaluar i pari në epërsi përmes Erjon Haxhiallarit, qysh në minutën e 15-të. Në vazhdim, ekipi kosovar ka bërë përpjekje të vazhdueshme për ta barazuar rezultatin dhe ia ka dalë mbanë.
Kjo ka ndodhur në minutën e 20-të të pjesës së dytë, respektivisht atë të 65-të, kur gjyqtari akordoi penallti fillimisht. E i saktë nga 11 metërshi ishte mesfushori ofanziv Fatlum Ramadani, i cili i barazoi shifrat, 1:1.
Deri në fund të ndeshjes, të dyja skuadrat i kanë pasur rastet e tyre, por rrjetat mbetën të paprekura. Ky takim u zhvillua në stadiumin “Agron Rama” të Kastriotit.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se më vonë do të zhvillohet edhe ndeshja e kthimit në Shqipëri për këtë grup-moshë. Por, në të ardhmen pritet zhvillimi i takimeve miqësore në mes të të dyja Përfaqësueseve edhe në grupmoshat tjera.