Lamtumira e vështirë
Portieri kosovar, Arjan Beqaj, i ka befasuar të gjithë me vendimin e papritur që ka marrë të martën për t’i dhënë fund karrierës si futbollistë aktiv.
Megjithëkëtë, 35-vjeçari do t’i mbetet besnik sportit më të popullarizuar, pasi menjëherë është emëruar trajner i portierëve te gjiganti qipriot, Anorthosis Famagusta.
Pas një viti të pafat, të përcëlluara nga lëndimet që e lanë jashtë fushave për një kohë të gjatë kanë detyruar, ish-numri 1 të Kombëtares shqiptare të varë dorezat në gozhdë. Për prizrenasin kjo nuk ishte aspak e lehtë.
“Kam vendosur të tërhiqem nga futbolli. Për shkak të lëndimeve të shumta kam menduar se kjo është rruga më e mirë. Ishte shumë e vështirë ta marr këtë vendim, por erdhi oferta nga Anorthosis dhe e pranova”, ka thënë Beqaj për Express.
Portieri prizrenas, gjatë karrierës ka zhvilluar shumë ndeshje në nivelin kombëtar dhe atë të ekipeve. Megjithëkëtë, 35-vjeçari e ka të vështirë të veçojë ndonjë ndeshje që i ka lënë më së shumti mbresa.
“Është shumë e vështirë të veçosh ndonjë ndeshje pasi të gjitha i kanë emocionet e veta. Si me Kombëtaren, ashtu edhe me klube momentet më të mira janë kur arrin sukses. Futbolli nuk është i lehtë, ka momente të vështira duhet te sakrifikosh. Unë jam i kënaqur me ato që kam arritur”, thotë ai.
Beqaj tash e tutje do të jetë një prej ndihmësve të trajnerit bullgar, Stanimir Stoilov. Kosovari do të merret me trajnimin e portierëve, të cilën pozitë deri më tani e mbante Mikael Pampor, i cili është larguar nga Anorthosis pas disa mosmarrëveshjeve.
“Kam qenë i përgatitur për këtë post, pasi kam parë stërvitje të tilla në vende të ndryshme. Çdo fillim është i vështirë gjithashtu edhe roli im i ri, por unë jam optimist se do t’ia dal” theksoi ish-portieri i Partizanit nga Tirana.
Lavdëron Ujkanin
Me emërimin tek Anorthosis, Beqaj i ka thënë lamtumirën edhe ekipit kuqezi, ku prej kohësh ishte rezervist i të riut Samir Ujkani. Prizrenasi ka lavdëruar gardianin e Novarës duke thënë se porta e Shqipërisë është në duar të sigurta.
“E kamë thënë edhe më herët se Kombëtarja shqiptare nuk ka problem më për portier, pasi tani ka Samir Ujkanin. Ai është portier i mirë, i cili ka treguar vazhdimësi”, ka përfunduar Beqaj.
Karriera e Beqajt
Arajn Beqaj, karrierën e ka filluar te klubi shqiptar, Partizani në vitin 1994 ku qëndroi deri më 1997. Më pas, prizrenasi u transferua te klubi grek, OFI ku pati një paraqitje të shkëlqyeshme deri në vitin 2003, kur edhe u transferua te klubi tjetër grek, Ionikos.
Në vitin 2006, Beqaj vendosi të transferohej në Qipro te skuadra e Anorthosisit ku qëndroi deri në vitin 2010. Gjatë këtyre katër sezoneve, kosovari arriti ta shkruajë historinë në ishullin e Afërditës.
Beqaj ka fituar një titull kampioni në sezonin 2007-2008, si edhe Kupën dhe Superkupën në vitin 2007. Prizrenasi ishte protagonist në sezonin 2008-2009, ku ndihmoi Anorthosis që të bëhej skuadra e parë qipriote që arriti të luante në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve.
Pas largimit nga Anorthosisi, karriera e Beqajt filloi ta marrë tatëpjetën për shkak të lëndimeve. Në vitin 2010, ai u transferua te Olympiakos Nicosia, ku pati pak paraqitje për shkak të lëndimeve.
Ndërsa në janar të 2011’ës ai u transferuar në radhët e skuadrës tjetër nga Qipros Ermis, e cila ishte edhe e fundit në karrierën e tij si profesionist.
Për dallim nga skuadrat ku ishte më herët Ariani, te ky klub nuk arriti të luante asnjë ndeshje zyrtare, pasi gjatë sezonit të kaluar ishte regjistruar në dy skuadra dhe për gjysmën e dytë të sezonit u detyrua që vetëm të stërvitej.