Gati për sfida të reja

Pas aventurave në Francë, Angli e Turqi, Lorik Cana karrierën do ta vazhdojë në Itali. Reprezentuesi i Shqipërisë të hënën i ka dhënë lamtumirën e fundit gjigantit turk Galatasaray, për t’u transferuar te ekipi italian Lazio.
Mesfushori kosovar tha se nga Stambolli po largohet i lumtur, derisa foli si futbollisti i Lazios, edhe pse ende nuk ka nënshkruar kontratë me klubin nga Serie A.
“Largohem i lumtur sepse më pret një sfidë e madhe në Lazio. Të kaloj në një klub të ri është gjithnjë gjë e mirë. Në sezonin e fundit kam luajtur mirë, por sezonin e ri shpresoj të paraqitem edhe më mirë”, ka thënë Cana për mediat turke të hënën.
Ish futbollisti i Marseilles dhe i Sunderlandit ka arritur marrëveshje me klubin romak, derisa të martën (sot) pritet ta finalizojë atë. Sipas medieve italiane, 27 vjeçari pritet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare, derisa pritet të përfitojë nga 1.8 milionë euro në vit.
“Babai dhe menaxheri im kanë takuar drejtuesit e Lazios dhe së bashku kemi vendosur ta pranojmë ofertën e klubit romak. Lazio është klub i madh me tifozë të shkëlqyeshëm”, ka theksuar Cana.
“Sezonin e ardhshëm do të luaj në Europa League e po ashtu dua të provoj emocionet e Serie A. Tash do të jem më afër Kombëtares, vendit dhe familjes time dhe kjo është një gjë shumë e mirë”, shtoi ai.
Cana thotë se me klubin e ri e presin shumë beteja në Serie A, pasi do të ndeshen me klube prestigjioze dhe të rëndësishme.
Ish futbollisti i PSG’së ishte transferuar në Galatasaray vitin e kaluar nga klubi anglez Sunderland. Cana ka folur edhe për aventurën që ka pasur në futbollin turk.
“Këtu kam kaluar edhe momente të vështira, por gjithmonë e kam dashur shumë Turqinë. Do të vazhdoj ta përkrah Galatasarayn. U falënderohem të gjithëve dhe u them të keni besim te Fatih Terim”, ka përfunduar Cana.
Sipas medieve italiane, transferimi i Canës në Lazio ka gëzuar tifozët Biancocelesti, të cilët kosovarin e konsiderojnë si përforcimin më të madh të klubit romak.