E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos e nënçmoni vetën

Tashmë është bërë zakon që futbollistët kosovarë të gjejnë angazhim jashtë vendit vetëm duke u provuar. Kjo praktikë nuk po u pëlqen klubeve. Nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqit, thotë se ka ardhur koha që lojtarët të mos kërkojnë angazhim në klube të huaja duke i ‘lutur’, derisa mendon se duhet të ndodhë e kundërta. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 05 korrik 2011 në ora 13:00

Shumë futbollistë nga skuadrat kosovare edhe në këtë afat kalimtar synojnë që nëpërmjet provave t’i bindin klubet e huaja t’u ofrojnë kontrata, sepse vështirë se ndonjë klub evropian do t’u bëjë oferta në mënyrë të drejtpërdrejtë, për shumë arsye.

Edhe viteve të kaluara futbollistët kosovarë pa u testuar fillimisht nuk ia dilnin të angazhoheshin as në skuadra të vendeve të rajonit, si në ato të Shqipërisë apo Maqedonisë, e lëre më në vende tjera ku futbolli është shumë më i zhvilluar.

Mirëpo, ky fakt duket se nuk po u pëlqen klubeve kosovare, të cilat sikurse ndihen të nënçmuara nga futbollistët e tyre.

Nënkryetari i klubit më të famshëm kosovar - Prishtinës, Afrim Muçiqi thotë se ka ardhur koha që futbollistët e Kosovës të mos kërkojnë angazhim në klube të huaja duke i ‘lutur’ ato.

“Lojtarët tanë, sidomos nga klubet tona më të mëdha, siç është Prishtina, Besa, Liria, Trepça, etj, nuk kanë arsye që nëpërmjet provave të dëshmojnë se e meritojnë të luajnë nëpër liga tjera. Ata janë të dëshmuar në kampionatin kosovar dhe klubi i cili dëshiron t’i sigurojë shërbimet e tyre, le t’i transferojë pa i provuar”, deklaroi Muçiqi për Express.

Këto tentativa të futbollistëve për t’i kaluar kufijtë e Kosovës, Muçiqi i konsideron si të gabuara. Sipas tij, lojtarët duhet t’i qasen me seriozitet të madh profesionit të tyre brenda Kosovës, pra të punojnë drejt zhvillimit, me ç’rast do ta tërhiqnin vëmendjen e skautëve të klubeve të huaja.

“Në Evropë, Kosova është një ‘mini-Brazil’ për prodhimin e futbollistëve. Nëse lojtarët i qasen me seriozitet procesit të zhvillimit të vetes së tyre, nuk do të kenë nevojë t’i ‘lusin’ klubet e huaja, por vetë ato do t’i lusin futbollistët. Kur klubet evropiane po i gjejnë futbollistët e mirë atje nëpër fshatra të Brazilit dhe vendeve të ndryshme afrikane, sigurisht se do t’i gjejnë edhe në Kosovë, madje vendi ynë është në zemër të Evropës”, theksoi ai.

Mirëpo, ai pak faj ua hodhi edhe vetë futbollistëve për faktin se assesi nuk po ia dalin t’ua tërheqin vëmendjen klubeve të huaja. “Ka ardhur koha që futbollistët mos të përqendrohen se si ta sigurojnë ndonjë provë, por të përqendrohen në konsumin e ushqimit të rregullt siç konsumojnë futbollistët në gjithë Evropën, dhe ta lënë njëherë e përgjithmonë jetën e natës dhe të përkushtohen në profesionin e tyre, dhe sigurisht se suksesi nuk do të mungojë”, përfundoi ai.

Gjatë afatit kalimtar të kësaj vere nuk pritet të ketë interes për futbollistët kosovarë, të cilët vështirë se do të transferohen në klube të huaja, çoftë direkt apo nëpërmjet provave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›