E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë ekipe për Evropë

Federata Evropiane e Hendbollit ka pranuar kërkesën e Federatës së Hendbollit të Kosovës që pesë ekipe kosovare të luajnë në garat ndërkombëtare nga sezoni i ri. Drejtuesit e hendbollit kosovar këtë e shohin si pozitive, duke marrë parasysh se vitin e kaluar vetëm katër klube kanë luajtur jashtë vendit. Nga Driton Berisha driton.berisha@gazetaexpress.com më 05 korrik 2011 në ora 11:27

Nga sezoni i ri në garat evropiane të hendbollit do të marrin pjesë pesë skuadra nga Kosova, një më shumë sesa sezonin e kaluar.

Kështu ka vendosur Federata Evropiane e Hendbollit (EHF), të hënën, e cila ka aprovuar kërkesën e drejtueseve të hendbollit kosovar, që në sezonin e ri të marrin pjesë pesë klube kosovare.

Në garat ndërkombëtare do të garojnë tri klube në konkurrencën e meshkujve; Kastrioti (EHF Cup), BESA Famiglia (Cup Winners Cup ) dhe Prishtina (Challenge Cup).

Ndërsa, në konkurrencën e femrave do të garojnë vetëm dy skuadra. Përveç kampionit Prishtinës, e cila ka fituar edhe Kupën e Kosovës që paraqitet në EHF Cup, Kosovën do ta përfaqësojë edhe Kastrioti në Cup Winners Cup, pasi ishte e dyta në kampionatin e Kosovës dhe finaliste e kupës.

Drejtuesit e hendbollit kosovar janë të lumtur për këtë, derisa thonë se udhëheqësit e klubeve duhet të mobilizohen për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare.

“Klubet tash duhet të mobilizohen pasi në gara evropiane duhet të kenë edhe motiv. Besoj se gjithçka do të shkojë mirë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci.

Ai u ka bërë thirrje donatorëve dhe kuvendeve komunale që t’u ndihmojnë ekipeve të qyteteve që të mobilizohen dhe përforcohen për garat evropiane.

Edicionin e kaluar, Kosova është përfaqësuar me katër skuadra, derisa vetëm vashat e Prishtinës ia dolën të kualifikohen një rund, duke eliminuar skuadrën qipriote Enosi Neoleas. Afati për paraqitjen e pjesëmarrjes në garat evropiane është 7 korriku, kurse shorti do të tërhiqet më 26 korrik në selinë e EHF-së në Vjenë.

Fillimisht Kosovën në garat evropiane e kishin përfaqësuar gjashtë ekipe. Mirëpo, pas një sezoni, EHF kishte vendosur që kosovarëve t’u mundësonte vetëm katër vende, duke parë organizimin jo të mirë dhe krizën financiare të klubeve.

Afati kalimtar, nga 15 deri më 31 korrik

Afati i rregullt kalimtar për hendbollistë dhe hendbolliste për këtë edicion të garave do të fillojë nga data 15 korriku dhe do të zgjasë deri më 31 korrik.

Afati vlen për lojtarët kosovarë, të cilët janë të obliguar që në kuadër të afatit kalimtar të aderojnë në skuadrat e reja, të cilat kanë shprehur interesim, sipas Rregullores mbi regjistrimin e klubeve, lojtarëve, statusit dhe transferimet e tyre.

Sipas FHK’së, kjo nuk vlen për lojtarët që vijnë nga klubet e huaja me certifikata ndërkombëtare, të cilët të drejtë regjistrimi kanë deri më 28 shkurt 2011, sipas Rregullores së EHF-së dhe Rregullores mbi regjistrimin e klubeve, lojtarëve, statusit dhe transferimet tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›