Rrihet një tjetër deputet i PASOK-ut
Deputeti i PASOK-ut, Nikos Tsonis dhe zyrtarë të tjerë të partisë në pushtet në Greqi, PASOK, janë gjendur nën trysninë e qytetarëve të indinjuar dhe janë bërë pre e disa episodeve të dhunshme.
Sipas dëshmitarëve okularë, një qytetar iu afrua Tsonisit dhe i tha deputetit: "Ju jeni një nga ata që votuan planin afatmesëm?” dhe pa pritur asnjë përgjigje e pështyu atë në fytyrë.
Deputeti u përpoq ta largojë, por menjëherë me agresorin u bashkuan edhe qytetarë të tjerë dhe të gjithë bashkë filluan të fyejnë deputetin, i cili nxitoi të futet në ndërtesë i goditur nga shishe, gota kafeje, vezë etj.
Deputeti dhe udhëheqësit lokalë të PASOK ishin bllokuar në katin e katërt dhe qytetarët hidhnin parulla kundër tyre, kur në vendngjarje mbërritën forca policie për të qetësuar situatën.
Daljet publike të deputetëve grekë janë tepër të kufizuara dhe të kontrolluara, për shkak të reagimeve të dhunshme të personave të ndryshëm.
Kujtojmë se ditën që u miratua në parlament plani afatmesëm, deputeti i PASOK, Aleksandros Athanasiadhis u godit me karrige në kokë dhe u abuzua nga njerëz me maska, ndërsa dilte nga godina e parlamentit.