Gati projekti për zhvillimin e qendrueshëm të biodiversitetit në Parkun Kombëtar të Prespës

Parku Kombëtar i Prespës që ndodhet në juglindje të Shqipërisë, në kufi me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Greqinë, prej tre vjetësh është përfshirë në një projekt rajonal 5 vjeçar me mbështetjen financiare të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (PNUD), projekt që synon zhvillimin e qëndrueshëm të biodiversitetit të këtij parku. Sipas të dhënave nga zyra e PNUD në Shqipëri, vlera totale e projektit, me kohëzgjatje prej 5 vjetësh (2006-2011) arrin në 12.771.000 dollarë, shumë kjo e financuar nga Fondi Global për Mjedisin (GEF), Qeveria Shqiptare dhe PNUD. Parku Kombëtar i Prespës, me një sipërfaqe prej rreth 23000 ha, mori këtë status në 1999. Në vitin 2000 Prespa që shtrihet në tre vende, u shpall Park Ndërkombëtar, pas nënshkrimit të një deklarate të përbashkët të tre kryeministrave, të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Projekti rajonal është ndërmarrë për të mbrojtur biodivesitetin në shkallë globale në basenin e liqenit të Prespës. Ai synon të mbrojë mjedisin, duke minimizuar shkaqet njerëzore që sjellin shkatërrimin, degradimin, ose dëmtimin e këtij ekosistemi natyror. Planet Kombëtare të Zhvillimit të tre vendeve zbatuese të projektit reflektojnë probleme, që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, dhe në këto kushte projekti përfshin menaxhimin e ekosistemit në politika dhe praktika të përshtatshme sektoriale në nivel kombëtar. Ndër synimet e projektit të Prespës është dhe realizimi dhe sigurimi i fondeve për një Program Strategjik Veprimi. Ai bazohet në një projekt të mëparshëm 2 vjeçar, që promovoi menaxhimin e ekosistemit të integruar në Park dhe zgjeroi bashkëpunimin midis tre vendeve pjesëmarrëse. Në kuadër të projektit janë zhvilluar herë pas here dhe veprimtari edukuese dhe ndërgjegjësuese për brezin e ri dhe për komunitetin e banorëve të Parkut të Prespës, për vlerat e mëdha që ai ka dhe mbi rreziqet e shumta që i kanosen nga veprimtaria njerëzore. Qeveria Shqiptare, Fondi Global për Mjedisin (GEF) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin janë angazhuar për të mbështetur përdorimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, për të mbrojtur biodiversitetin, dhe për të bërë më efiçente angazhimet në konventat ndërkombëtare mjedisore. GEF financon shumicën e projekteve mjedisore, me kontribute financiare edhe nga Qeveria Shqiptare.
Të dhëna për Parkun e Prespës
Sipërfaqja e parkut përfshin tokë bujqësore, pyjore, kullota, livadhe dhe sipërfaqe ujore. Klasifikimi sipas rëndësisë së ruajtjes është bërë në disa zona. Ndërkohë, zona për zhvillimin me përparësi të turizmit është vija bregliqenore nga Kallamasi ne Liqenas.
Në pjesën shqiptare të Parkut të Prespës, popullsia vlerësohet si e qëndrueshme dhe në rritje me një dëndësi relativisht të lartë prej 20 banorë për km2. Rreth 70 për qind e fuqisë punëtore merren me bujqësi, ndërsa industria nuk është e zhvilluar në këtë zonë. Frutat e egra dhe bimët mjekësore përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për banorët e zonës.
Përsa i përket specieve të konsideruara unike, flora e pjesës shqiptare të Parkut Kombëtar të Prespës ka rreth 1000 specie ose 30 përqind të të gjithë florës së vendit.
Në të ndodhen 50 lloje kafshësh dhe 19 lloje bimësh, të cilat gjenden vetëm në pellgun ujëmbledhës të Prespës, 1600 lloje fluturash dhe një larmishmëri amfibësh dhe reptilësh. Parku i Prespës shërben si një vend i rëndësishëm për ushqimin, strehimin dhe rritjen e të paktën 91 specieve të zogjve migrator, ku përfshihet edhe Pelikani Dalmat që është mjaft i rrezikuar. Të paktën 19 specie kafshësh në park janë të rrezikuara.
Liqeni i Prespës së Madhe ka një regjim hidrologjik të qëndrueshëm, me oshilacione në perioda të mëdha kohore. Kjo, sepse ai ushqehet nga burimet karstike në fundin e tij, pra nga ujrat nëntokesore. Ujrat e rrjedhshme sipërfaqësore, prurjet e të cilave varen nga reshjet, janë ushqim sekondarë me peshë më të vogël.
Përsa i përket vlerësimit të ajrit, përgjithësisht është i pastër, me ndotje të pakët, më e ndjeshme ndotja nga avullimi i plehrave organike dhe ujrave të zeza të zbuluara.
Pyjet paraqesin tablo të ndryshme. Ka pyje në gjendje të mirë e në rritje, ka pyje të përmirësuar dushku që po rehabilitohen plotësisht, ka pyje dushku të demtuar që meritojne mbrojtje strikte, ashtu sikurse ka pyje me statusin e zonës së mbrojtur për vlera të caktuara biodiversiteti, që përsëri meritojnë mbrojtje strikte.
Kullotat natyrore alpine të Malit te Thatë janë të pashfrytëzuara aktualisht dhe kanë kapacitete ushqyese të konsiderueshme. Malet, shkëmbinjtë e bukur e të larmishëm prezantojnë një peisazh të madhërishëm që duhet ruajtur i paprekur.
...