Kosovarja, e treta në “Miss Univers”
Kosovarja Marigona Dragusha është vajza e tretë më e bukur në Univers. E prezantuar mbrëmjen e së dielës në konkursin që përfshin bukuroshe nga 84 vende të botës, "Miss Kosova" është shpallur shoqëruesja e dytë e "Miss Univers". Këtë trofe e mori "Miss Venezuela", Stefania Fernandez, ndërsa në vend të dytë vajza nga Republika Domenikane. Marigona Dragusha, 18 vjeçe, u shpall vajza që do të konkurronte në mbarë universin, në një konkurs të zhvilluar në Kosovë në prill të këtij viti. Konkursi, organizatori i të cilit është miliarderi amerikan Donald Trump, u zhvillua në Bahamas. Në këtë eveniment ishte pjesëmarrëse në emër të Shqipërisë, Hasna Xhukiçi, e cila u përfshi në 15 finalistet e "Miss Universe". Por, në pesëshen më të mirë arriti të hynte vetëm kosovarja Dragusha. Edhe një vit më parë, vendin e parë e zuri miss-i nga Venezuela, duke bërë që për herë të parë, për dy edicione rresht të fitojë i njëjti shtet. "Miss Kosova" prezantohet për të dytin vit rresht, që nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur.