E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët rrëqethin me historinë e narkomanëve

 

DURRES/ OERD ULQINI

Kosovarët i "përjashton" nga festivali i filmit të Durrësit vetëm ana teknike, pasi artistikisht tregojnë se kanë potenciale të jashtëzakonshme kinematografie. Ndonëse "Ama Dorën" është një film jashtë konkurrimit (për shkak të filmimeve në HD) ky prodhim ka rrëqethur spektatorët, duke i mbërthyer ata për 100 minuta në projeksionin kinematografik. Ndryshe nga të gjithë filmat e tjerë që janë xhiruar me shiritin klasik të kinemasë 35 mm, kosovarët vijnë në këtë sfidë me teknikën "High Definition", e cila sjell edhe këtë penalitet. "Ama Dorën" është filmi me buxhetin më të vogël të festivalit. Madje edhe në shtetin e sapoformuar kosovar ai ka hyrë në historinë e kinemasë si filmi më ekonomik, vlera totale e të cilit nuk i ka kaluar 40,000 eurot. Por për regjisorin Ismet Sijarina, për fat të mirë buxheti është vetëm një çështje, ndërsa krijimtaria artistike një tjetër gjë. Është një film ku flitet me "gjuhën e drogaxhinjve". Gjatë minutave të tij flitet më së shumti me kode. Edhe përkthimi i shoqëruar në anglisht e ruan këtë tipar, i cili synon ndërkombëtarizimin e kinemasë kosovare. Edhe dilema e titullit ka zgjatur një javë. "Ama Dorën!" apo "Ma jep dorën!". Arsyetimi i regjisorit është racional. "Përderisa drogaxhinjtë thonë vetëm Ama Dorën, atëherë nuk pashë arsye për të ndryshuar titullin, ndonëse nga gjuhëtarët mu bë shumë oponencë", u shpreh pala kosovare në konferencë. "Ama Dorën" është një film bazuar në një ngjarje reale. Besi, një djalë i ri, duke u përpjekur të tregohet burrë dhe t'i bëjë përshtypje të dashurës merr drejtimin e gabuar. Ai hyn në një botë të errët, plot dhimbje dhe vdekje. Filmi e sjell tepër të gjallë realitetin e narkomanëve të Prishtinës. Jo rastësisht porosia e regjisorit ndaj aktorëve ka qenë; "Sa më pak aktrim dhe sa më shumë realitet!". Filmi është artistik, ndonëse ka shumë elementë dokumentari që e bëjnë të duket nganjëherë si një "emision mjekësie për varësinë nga droga". "E kemi thënë realitetin pa doreza. Ashtu siç është, në mënyrë që shembulli i personazhit tonë të shërbejë për t'i larguar të rinjtë nga kjo rrugë", tha Sijarina.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›