Greqi, xhelozia,shqiptari masakron gruan me thikë
GREQI/RODOS - Një grua shqiptare, nënë e dy fëmijëve të mitur, emigrante prej pak kohësh në Greqi, humbi jetën mëngjesin e djeshëm, pasi u qëllua fatalisht me thikë. Agjencia e lajmeve NOA, e cila i referohet mediave greke, informon se ngjarja ka ndodhur në ishullin turistik Rodos në Greqi, ndërsa policia lokale ka deklaruar se po heton mundësinë e vrasjes së 30-vjeçares nga i shoqi për motive të dyshuara xhelozie. Sipas tyre, familja shqiptare jetonte në qytezën Afandu të Rodosit, në një banesë me qira ku edhe u gjet e vdekur sot 30-vjeçarja shqiptare, nënë e dy fëmijëve. Policia greke nuk ka bërë të ditur emrin e viktimës dhe as të bashkëshortit të saj, i cili për policinë greke është i dyshuari kryesor i ngjarjes, ndërsa mendohet se shkaku i krimit të rëndë në familjen e emigrantëve shqiptarë janë motive xhelozie. E ndjera kishte pak kohë që jetonte në Rodos, ku edhe kishte nisur punën në një biznes turistik. Ajo u gjet e përgjakur në banesë, nga vëllai i saj, i cili menjëherë njoftoi policinë, ndërsa u përfshi nga një gjendje shoku pas skenës me të cilën u përball. Policia tha se viktima ishte therur me thikë. Autori, ende i paidentifikuar, e kishte qëlluar viktimën e tij në shtyllën kurrizore, duke i shkaktuar dëmtim të pariparueshëm të organeve jetësore, me pasojë vdekjen e 30-vjeçares, pak orë pas marrjes së plagëve të rënda. Policia ka deklaruar se dyshimet e saj shkojnë në një krim brenda familjes, duke hetuar përfshirjen e bashkëshortit të të ndjerës në vrasjen e saj për motive pasiononte, por ende asnjë prononcim i mëtejshëm nuk është dhënë, pasi investigimi, sipas policisë greke do të vazhdojë. Gjatë ditëve në vazhdim pritet që policia të mbledhë dhe të analizojë provat shkresore si dhe dëshmitë e fëmijëve dhe të afërmeve të viktimës, për të ngritur zyrtarisht akuzën ndaj burrit. f.m.