Pret damarët, i dënuari në grevë
Fatos Mahmutaj
Një javë grevë urie dhe prerje damarësh. Kjo është protesta që ka bërë një i burgosur i përjetshëm pas transferimit në burgun e Korçës. Lajmin e bëjnë të ditur familjarët e tij, sipas të cilëve i burgosuri i përjetshëm Petrit Verri nuk ka pasur asnjë mundësi tjetër për të protestuar ndaj transferimit nga qelitë e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, në ato të burgut të Korçës. Ndërsa arsyeja për të cilën ai ka reaguar kaq ashpër ka të bëjë me faktin se në qytetin e Korçës ai ka bërë krimin për të cilin është dënuar. Për këtë shkak, edhe familjarët e tij, të cilët i ruhen gjakmarrjes në këtë qytet, nuk kanë pranuar t'i shkojnë për vizitë në qeli. Kështu, duke mos pasur mënyrë tjetër, ai sapo ka mbërritur në burgun e Korçës ka refuzuar të marrë ushqimin, duke nisur grevë urie në fillim të javës së kaluar. Sipas familjarëve të tij, Verri kishte kontaktuar me autoritetet e burgut, të cilëve u kishte kërkuar transferim të paktën në Peqin, pasi familja e tij jetonte në Malësinë e Madhe. Por përveç largësisë, sipas tij, një nga arsyet për të mos e vizituar familjarët në qeli ishte dhe fakti që ai dhe i vëllai i tij, Ndok Verri, ishin dënuar për të njëjtin krim që kishin kryer në qytetin e Korçës më 21 prill 1997. Vizita e të afërmeve të tij në Korçë përbënte rrezik, pasi ata mund të ekspozoheshin ndaj hakmarrjes së hasmëve të tyre që jetojnë në këtë qytet. Por edhe pse ka kaluar tri ditë në grevë, Verri nuk ka marrë përgjigje pozitive për transferimin, duke vendosur të vetëflijohej në qeli duke prerë damarët. Për të arritur këtë qëllim ai ka shfrytëzuar sende të mprehta duke këputur venat në të dy duart, por shokët e qelisë kanë vënë alarmin duke lajmëruar gardianët e më pas mjekun e institucionit. Pas mjekimeve Verri është rikthyer sërish në qeli, ku ka vazhduar grevën e urisë. Ndërkohë familjarët pohojnë se Verri nuk e ka herën e parë që tenton vetëvrasjen. Sipas tyre, ai ka tentuar edhe më parë në vitin 2007, kur ka gëlltitur brisqe dhe sende të tjera të forta, të cilat i janë hequr nëpërmjet një operacioni në stomak. Më pas ai ka prerë edhe damarët, ndërsa ndodhej në burgun e Shën Kollit në Lezhë. Nisur nga këto veprime që bënte në qeli i dënuari i përjetshëm, autoritetet e këtij burgu e transferuan në Fushë-Krujë. Ndërsa mbrë-mjen e 17 majit të këtij viti, ndërsa ndodhej në qelitë e burgut të Fushë-Krujës ku e kishin transferuar nga Lezha, ai tentoi të vetëvritej duke i vënë flakën qelisë. Fatmirësisht ndërhyrja në kohë e personelit policor të burgut bëri që ai t'i shpëtonte vdekjes, pasi mori dëmtime të lehta. Gjithçka ndodhej në qeli u përfshi nga flakët, duke mos mbetur asgjë pa u shkrumbuar. Pas mjekimeve ai u dërgua sërish në qeli, ku u mbajt në vëzhgim të vazhdueshëm si prej personelit të burgut edhe prej bashkëvuajtësve të tjerë.