Basha me fëmijët, ndez dritat e bredhit të fundvitit
Tirana është gati për të pritur festat e fundvitit, dhe Bashkia ka ndezur dje dritat e një dekor të ri. Ceremonia është zhvilluar në sheshin “Skënderbej”, ku është vendosur pema e re festive dhe është bërë ndezja ceremoniale e saj. Ndezja e dritave është bërë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i shoqëruar nga vajza e tij Dafina dhe dhjetëra fëmijë të kryeqytetit kanë ndezur sot dritat e pemës së madhe prej 14 metrash.
Pema e vendosur në sheshin “Skënderbej” u ka hapur rrugë festimeve për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Nën tingujt e muzikës festive të korit të Liceut Artistik, është ndezur i gjithë dekori i vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke sjellë edhe në Tiranë atmosferën e festave të fundvitit. Kryebashkiaku tha se kjo atmosferë do të shtrihet në të gjithë qytetin. Basha theksi se krahas dekorit festiv janë parashikuar edhe një sërë aktivitetesh për të gjitha grupmoshat, që do të shoqërojnë ditët deri në natën e madhe të ndërrimit të viteve.
Basha tha se nuk do të mungojnë edhe dhuratat, veçanërisht për fëmijët, në mënyrë që festat të jenë sa më të gëzuara për ta. “Sot ne ndezim bredhin festiv të fundvitit dhe dritat në rrugët kryesore të qytetit tonë, sepse po vjen Viti i Ri. Festat e fundvitit na bashkojnë ne të gjithëve çdo vit”, - tha Basha. Ai më tej shtoi duke folur me fëmijët se “ne kemi një program festiv, të cilin e nisim sot me ndezjen e dritave të të gjitha dekoreve në sheshin kryesor, në bulevard dhe në shumë rrugë të tjera. Do të kemi koncerte të vogla e të mëdha, do të kemi shumë babagjyshër të Vitit të Ri, të cilët do të shpërndajnë dhurata anembanë kopshteve e çerdheve dhe shkollave të qytetit tonë për të gjithë fëmijët”. Basha më tej ka uruar festën e fundvitit dhe Krishtlindjen, ndërsa ka theksuar se Bashkia ka organizuar edhe mjaft aktivitete festive për të rriturit dhe të rinjtë, të cilat do të zhvillohen gjatë gjithë muajit.