E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati sekuestro për pasuritë e Dajtit

19/08/2009  Prokuroria po verifikon disa ndërtesa e makina luksoze, pritet vendimi për t’i sekuestruar

Ekspertët po hetojnë edhe për implikim të mundshëm në disa vrasja e gjobvënie

TIRANË- Hetimet për dosjen “Dajti”, dje janë verifikuar nga ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët menjëherë kanë nisur punën për të ngritur akuzat e plota. Sakaq, seksioni që merret me sekuestrimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga aktivitetet kriminale, kanë nisur menjëherë verifikimin e disa pronave të Dajtit, të cilat janë regjistruar në emra të tjerë. Burimet e Prokurorisë thanë se bëhet fjalë kryesisht për disa ndërtesa, pa saktësuar nëse janë pallate apo shtëpi private si dhe disa makina luksoze. Gjithashtu po verifikohen edhe llogaritë bankare. Pritet që ditët në vijim të bëhen të ditura rezultatet e këtyre verifikimeve e më pas të nisë sekuestrimi i këtyre pasurive.

Krimet e Dajtit

Veç vrasjes së katër policëve të operacioneve speciale, Dritan Dajti do të përgjigjet para gjykatës dhe për disa krime të tjera si vrasje, gjobvënie dhe trafik droge. Një dosje voluminoze me prova dhe fakte të pakontestueshme, i është dërguar prokurorëve të Krimeve të Rënda nga ana e policisë së shtetit. Bëhet fjalë për krime të vjetra të mbetura pa autorë, por që në bazë të hetimit të policisë kanë rezultuar se janë kryer nga Dritan Dajti. Dhjetë ditë nga ngjarja e rëndë e Durrësit, ku u vranë katër punonjës policie, drejtuesit e lartë të këtij dikasteri e konsiderojnë si të përfunduara hetimet ndaj Dajtit duke i vënë në dispozicion organit të akuzës, një dosje me 6000 faqe kundër Dritan Dajtit. Nga burime zyrtare të policisë së shtetit, mësojmë se Dritan Dajti është autor i disa vrasjeve mafioze të ndodhura në Tiranë. Dajti drejtonte në arrati, një prej grupeve më të organizuara të trafikut të kokainës dhe prej kohësh kishte krijuar dhe grupe rivale në biznes. Një trafik që e kishte detyruar njeriun e shpallur në kërkim të udhëtonte me emër të rremë drejt Spanjës dhe Gjermanisë, i lirë. Prokurorët e Krimeve të Rënda, pas ngjarjes së Durrësit dhe arrestimit të Dajtit, kanë mbledhur informacion mbi veprimtaritë kriminale të Dajtit. Sipas burimeve, bëhet e ditur se Dritan Dajti ka shfrytëzuar lidhjet e tij për të hyrë në linjën e trafikut. Dyshimet për trafik narkotikësh përkojnë edhe me lidhjet shoqërore të Dritan Dajtit dhe Emiliano Shullazit, njërit prej të dënuarve më famëkeq në këtë fushë, i cili u arrestua në vitin 2005. Në atë kohë u tha se së bashku me Shullazin, në automjetin me të cilin lëvizte, gjendej edhe Dritan Dajti së bashku me të tjerë anëtarë të grupit. Tabulatët telefonikë të të arrestuarit kanë nxjerrë në shesh lidhjet e tij me njerëz me uniformë. Akuza ka mundur të sigurojë zbardhjen e tabulatëve telefonike dhe lidhjet e tij, por sistemi në vend nuk ka mundur t’ju japë atyre zbardhjen e mesazheve që Dajti shkëmbente me policë apo me persona publikë. Prokurorët i janë drejtuar kompanive celulare, për t’i siguruar këtë shërbim që kryhet vetëm jashtë vendit. Mesazhet mes Dajtit e policëve ishin të përbërë kryesisht nga një fjali, e tipit: “Ku je?”, “Më prit aty”, “Deti ka shumë dallgë” etj. Sipas Prokurorisë, ende pa u identifikuar emrat e personave që i kanë zotëruar këto numra, përmbajtja e tyre nuk mund të çojë në zbardhje të rrethanave në të cilat ato janë shkëmbyer.

Caktohet avokati

Arben Qeleshi do të jetë mbrojtësi ligjor i Dritan Dajtit dhe kunatit të tij Erges Xhoxhi, të arrestuar së bashku më 7 gusht. Avokati Qeleshi ka paraqitur një kërkesë në Prokurori për një ekzaminim mjekoligjor të klientit të tij Xhoxhi, pas pretendimit të familjarëve të këtij të fundit për dhunë të ushtruar nga forcat e policisë. Mësohet se kërkesa është pranuar nga organi i akuzës dhe se ditën e hënë Ergest Xhoxhi do të dërgohet për ekzaminim në Mjekësinë Ligjore. Gjithashtu, mësohet se Xhoxhi ka shfaqur pretendime se nuk ka marrë ndihmë mjekësore atëherë kur ka kërkuar. Ndërsa në lidhje me Dritan Dajtin, avokati Qeleshi pohoi se nga familja e të arrestuarit i është kërkuar përfaqësimi i tij ligjor.

Ende mister identiteti i personit të vetëm që i shpëtoi i gjallë masakrës

Kërkimet për të katërtin, asnjë rezultat

Rinisin të tjera kontrolle në vendin e ngjarjes, gjenden gjurmë të reja

Prokuroria e Krimeve të Rënda pohoi se ka gjetur prova të reja në shtëpinë ku strehohej Dritan Dajti, në pallatin 6-katësh pranë sektorit “Iliria”, në plazhin e Durrësit. Burime të policisë së Durrësit thanë se apartamentin në katin e gjashtë të ndërtesës, pak ditë më parë i është nënshtruar sërish një kontrolli të imtësishëm nga grupi hetimor. Mësohet se aty janë gjetur disa objekte mjaft me rëndësi për organin e akuzës, si dhe disa gjurmë të ndryshme. Burimet sqaruan se që nga dita kur ndodhi masakra, ku mbetën të vrarë 4 oficerë policie, disa oficerë të Hetimit të Krimeve nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, si edhe nga e përgjithshmja, mbajnë nën mbikëqyrje të gjithë zonën përreth vendit të ngjarjes. Përgjatë gjithë javës, pas 7 gushtit, oficerët e policisë kanë marrë në pyetje dhjetëra persona që banojnë, apo janë me pushime në zonën ku ndodhi masakra. Persona të ndryshëm që pretendojnë se kanë parë sekuenca të ndryshme atë ditë kur Dritan Dajti qëlloi mbi katër oficerët e policisë dhe mikun e tij, të cilët i la të vdekur në vend, janë pyetur edhe për personin e katërt që është larguar nga vendi i ngjarjes i plagosur, dhe që sipas policisë është një person me precedentë penalë dhe i skeduar nga drejtësia. Të paktën dëshmitarë të ngjarjes pohuan se veç të vrarit Ledion Mara dhe të arrestuarve Dritan Dajti dhe Erges Xhoxhi, kishin parë një person të katërt të largohej i plagosur nga ngjarja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›